2006-02-07 19:57:42

Lajme shoqërore-politike të 7 shkurtit


Në Kandahar në jug të Afganistanit u krye një sulm i ri me bomba kundër shtabit të përgjithshëm të policisë afgane. Talebanët të cilët deri në mbarimin e luftës kishin qendrën drejtuese në këtë qytet morën përsipër përgjegjësinë e atentatit si pasojë e të cilit u vranë 13 vetë.


Dhuna vijon edhe në Irak. Në dy atentate në qendër të Bagdadit vdiqën 7 persona. Bomba e parë shpërtheu në afërsi të një tregu. Turma e njerzëve që rendi për të parë ç’kishte ndodhur u godit nga një bombë e dytë. Sidoqoftë, në të gjithë vendin po rriten masat e sigurisë në kuadër të festës së Hashures që do të kremtohet të enjten nga besimtarët shiitë.


“Kryeministri i ri palestinez do të jetë një përfaqësues i Hamasit ndërsa Al Fatahut do t’i propozojmë që të martrë pjesë në qeveri.” Kështu deklaroi një nga udhëheqësit e Hamasit, partisë fondamentaliste palestineze që fitoi zgjedhjet e 25 Janarit. Bisedimet për formimin e qeverisë së re palestineze po zhvillohen në Egjipt. Ndërkaq bëhet e ditur se ushtria izraelite vrau në Nablus një nga kryetarët e brigadave terroriste Al Kuds.


Hezbollahu libanez arriti një marrëveshje politike me partinë e ish gjeneralit Mishel Aun që hedh bazat për të ardhmen e Libanit. Hezbollahu është një lëvizje islamike që gjatë luftës civile mbështetej nga Irani dhe Siria, ndërsa gjenerali Aun është i krishterë dhe ka luftuar gjithnjë kundër ndërhyrjeve siriane.


Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi që zgjedhja e presidentit të ardhshëm të bëhet me 13 shkurt. Lidhja Demokratike e Kosovës paraqiti si kandidat të sajin z. Fatmir Sejdiu. Në fjalën e vet z.Sejdiu tha se do të punojë me ngulm për të realizuar deri në fund idealin e Ibrahim Rugovës për një Kosovë të pavarur, të lirë, demokratike e të integruar në Evropë. Për kandidaturën e Fatmir Sejdiut shprehu kënaqësi edhe kryeministri shqiptar z.Sali Berisha.


Vdiq në Milano, piktori i mirënjohur shqiptar Ibrahim Kodra. Kishte lindur me 22 prill 1918 në Ishëm të Durrësit. Në vitin 1938 fitoi një bursë studimi për arte të bukura dhe u largua për në Itali. Ekspozitën e parë e hapi në Milano në vitin 1944. Më vonë punimet e tij u ekspozuan krahas atyre të Pablo Pikasos, Matis, Modiljanit, Dali e tjerëve. Disa nga veprat e Ibrahim Kodrës gjinden edhe në muzeumet e Vatikanit. Vendi që e lindi i ka dhënë Ibrahim Kodrës titullin e lartë “Nderi i Kombit”.










All the contents on this site are copyrighted ©.