Disa vende islamike janë bërë këto ditë teatër protestash lidhur me ngjarjen e botimit
të disa karikaturave satirike për Muhametin.
Në Liban manifestuesit sulmuan një kishë të krishterë maronite e në Siri dogjën ambasadat
e Norvegjisë dhe të Danimarkës. Shikojmë se në botën arabe po shtrihet me shpejtësinë
e njollës së vajit protesta për karikaturat mbi Islamin, të cilat së pari u botuan
në Danimarkë e në Norvegji e më pas edhe në vende të tjera.
Benedikti XVI
për vrasjen e don Andrea Santoros
Një nga lajmet më tronditëse për
Kishën është ai i vrasjes së don Andrea Santoros, meshtarit 58 vjeç, që u qëllua
dje me armë zjarri në famullinë e Shën Marisë në Trebisondë të Turqisë. Ndërsa pritet
arritja e trupit të tij në Romë për salikimet, sqarohet se don Santori u vra me dy
plumba nga një adoleshent. Para se të qëllonte mbi meshtarin, që lutej pranë elterit
të Kishës së tij në Trebizondë, vrasësi bërtiti: “Allahu është i madh!”. Vriste kështu
një njeri që ia kishte kushtuar gjithë jetën Krishtit, dialogut me fetë e kulturat,
mirëkuptimit reciprok ndërmjet popujve. Papa Benedikti XVI e quajti sot
meshtarin e vrarë, fidei donum i klerit romak, ‘dëshmitar guximtar i Ungjillit të
dashurisë së krishterë’. Përmes dy telegrameve, drejtuar sot kardinalit Kamilo Ruini
dhe vikarit apostolik në Anatoli, imzot Luigji Padovezes, Papa dënon çdo formë dhune
dhe uron që gjaku i derdhur nga don Andrea të bëhet ‘farë shprese’ për krijimin e
vëllazërisë së vërtetë ndërmjet popujve”. Po cilat janë shkaqet e vërteta të kësaj
vrasjeje, prej nga lindë pyetja: të jetë e lidhur edhe kjo me tensionin e përgjithshëm
aktual të botës myslimane që vijon? Dje forcat e sigurimit libanez përdoren gaz
lotsjellës kundër grupeve të manifestuesve, të paktën 2 mijë vetë, mbledhur përpara
ambasadës daneze në Beirut. Gjatë ndeshjeve u sulmua edhe një kishë kristiane maronite.
Ministri i drejtësisë, Sharl Rizk dënoi sulmin mbi kishën, të cilin e quajti veprim
të papranueshëm. Kishat e krishtera – shtoi ai - nuk kanë të bëjnë fare me karikaturat.
Ndërsa sot në Liban ministri i brëndshëm, Hassan Sabeh, dha dorëheqjen pas protestave
të djeshme në Beirut. Qeveria libanese i kërkoi falje Danimarkës për zjarrin që shpërtheu
në selinë e konsullatës daneze, ku gjeti vdekjen një manifestues. Disa parlamentarë
libanezë kanë akuzuar Sirinë si shkaktare të trazirave që shpërthyen dje në një nga
lagjet e krishtera të Beirutit. Të shtunën e kaluar, në Siri, disa demonstrues
sulmuan dhe dogjën ambasadat e Danimarkës dhe të Suedisë në Damask. Pas këtyre episodeve,
qeveritë e Kopenhagenit dhe të Oslos i ftuan nënshtetasit danezë dhe norvegjezë të
largohen sa më shpejt nga Siria. Një manifesim tjetër, në të cilin morën pjesë
më se 200 vetë, u organizua të shtunën e kaluar në Stamboll, ku manifestuesit dogjën
flamurin danez. Edhe në Tripoli manifestuan qindra vetë e në Jeruzalemin lindor flamujtë
danezë u shtruan si qilima para disa dyqaneve palestinese, për t’u shkelur kështu
nga kalimtarët. E sot dhjetra të rinj palestinezë sulmuan zyrën e përfaqësisë të
Bashkimit Evropian në qytetin e Gazës dhe, për të protestuar kundër karikaturave,
gjuajtën me shishe boshe e me gurë kangjellat e ndërtesës, para së cilës dogjën edhe
flamurin evropian, ndërsa hidhnin parrulla antievropiane. Në Indonezi, vendi
më i madh mysliman në botë, mijëra njerëz janë mbledhur në Gjakartë para ambasadës
daneze, duke pritur që qeveria e Kopenhagenit t’u kërkojë falje. Në Iran, presidenti
Mahmud Ahmadinexhab urdhëroi të rishikohen dhe të anullohen kontratat ekonomike me
Danimarkën. Qeveria e Teheranit thirri edhe ambasadorin e saj në Kopenhagen. Në Jordani,
përveç tjerash, u arrestua drejtori i një reviste, që kishte botuar disa nga karikaturat
për Muhametin. Në Malajzi drejtori i gazetës kryesore në gjuhën angleze Sarawak
Tribun, dha dorëheqjen dhe kërkoi ndjesë për shkak të botimit të karikaturave në gazetën
e tij. Ka mundësi që qeveria ta mbyllë fare të përditshmen. Në Kabul, gjatë
manifestimeve kundër satirave, policia ka vrarë dy persona e ka plagosur 3 të tjerë:
janë viktimat e para të protestave që vijojnë kudo në botën islamike. Por përveç
këtyre manifestimeve të protestës, nuk mungojnë edhe ftesat për vetpërmbajtje; e një
thirrje të ngutshme bëri sekretari i përgjithshëm i OKB-së. Kofi Annan, i cili
theksoi se e kupton plotësisht pakënaqësinë e miqve islamikë, feja e të cilëve është
fyer nga karikaturat satirike, por njëkohësiht ripohoi edhe të drejtën e fjalës. Gazeta
që botoi e para karikaturat në fjalë, ka kërkuar falje, e myslimanët – shpjegoi Annani
– duhet ta pranojnë këtë kërkesë. Edhe sot Annan bëri thirrje për moderim duke
theksuar se fyerja nuk mund ta përligjë dhunën. Sekretari i përgjithëm i OKB-së u
kërkoi qeverive si dhe autoriteteve fetare e civile të bëjnë ç’është e mundur për
ta zbutur tensionin e për të shmangur veprime ose deklarata, që mund t’i trazojnë
më tej shpirtrat e njerëzve. E sot u fol për veprimtari të përbashkët të
Bashkimi Evropian dhe Botës Arabe për t’i dhënë kështu fund dhunës. Thirrjen për
bashkëpunim e bëri sot paradite ministrja suedeze e punëve të jashtme, Laila Freivalds. Duhet
hartuar një deklaratë, për të pohuar së bashku se ky konflikt nuk është në favor të
interesave të përbashkëta e nuk e pasqyron drejtë situatën, në të cilën nuk mungojnë
përpjekjet për zhvillimin e një bashkëpunimi sa më të ngushtë” – tha ministrja suedeze
në televizion. Ndërkaq, në një intervistë dhënë gazetës italiane “ Corriere della
Sera, gazetari danez Fleming Rose, që ka porositur e pastaj ka botuar karikaturat
që shkaktuan gjithë këtë revoltë, deklaron se nuk është penduar fare, madje se është
i kënaqur për debatin që ka shpërthyer pas publikimit të satirave, gjë që duhet t’i
vlejë shumë edhe botës myslimane.