2006-02-06 20:40:10

Deklaratë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë lidhur me ngjarjen e karikaturave satirike mbi Muhametin,


Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi, një Deklaratë, në të cilën nënvizohet se bashkëjetesa njerëzore kërkon një klimë respekti të anasjelltë për të favorizuar paqen ndërmjet njerëzve dhe kombeve. E drejta e lirisë së shprehjes – lexohet në Dokument – nuk mund të përdoret për të fyer ndjenjën fetare të besimtarëve. Në një botë që dëshiron ta zhdukë shuplakën e intolerancës, mirëkuptimi dhe respekti i anasjelltë bëhen shtylla të pazevendësueshme.
Por ja ç’shkruhet konkretisht në Deklaratën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë:
Për t’iu përgjigjur kërkesave të ndryshme lidhur me saktësimin e qëndrimit të Selisë së Shenjtë përballë shfaqjeve fyese ndaj ndjenjave fetare të individëve ose të bashkësive të tëra, vërejtur kohëve të fundit, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë deklaron:
    E drejta e lirisë së mendimit dhe të shprehjes, e sanksionuar nga Deklarata e të Drejtave të Njeriut, nuk mund të përfshijë të drejtën për të fyer ndjenjën fetare të besimtarëve. Një parim i tillë vlen pa dyshim për të gjitha besimet.


    Bashkëjetesa njerëzore kërkon, pastaj, një atmosferë respekti të anasjelltë, për të favorizuar paqen ndërmjet njerëzve dhe Kombeve. Përveç tjerash, forma të tilla kritike acaruese ose që vënë në lojë të tjerët, dëshmojnë për mungesë ndjeshmërie njerëzore e mund të shkaktojnë, në disa raste, një provokim të papranueshëm. Leximi i historisë na mëson se plagët ekzistuese në jetën e popujve nuk mund të shërohen duke ndjekur një rrugë të tillë.


3. Por duhet thënë menjëherë edhe se për fyerjet e shkaktuara nga një njeri i vetëm ose nga një organ shtypi, nuk mund të fajësohen institucionet publike të mbarë vendit, autoritetet e të cilit mund e duhet të ndërhyjnë sipas parimeve të ligjshmërisë kombëtare. Veprimet e dhunshme të protestës janë njëlloj të dënueshme. Për të reaguar kundër fyerjes, nuk mund të harrohet fryma e vërtetë e një feje. Intoleranca reale ose verbale, nga cilado anë që të vijë, si veprim ose si kundërveprim, përbën përherë një kërcënim serioz për paqen” – përfundon Deklarata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.