2006-02-04 15:06:00

Konferenca e shtypit per paraqitjen e Enciklikes se pare te Benediktit XVI.


Me 25 janar 2006, në sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, u mbajt Konferenca e Shtypit për paraqitjen e Enciklikës së parë të Benediktit XVI. Në paraqitjen e ‘Deus Caritas est’ folën kardinali Renato Raffaele Martino, kryetar i Këshillit Papnor për Drejtësinë dhe Paqen, kryeipeshkvi William Joseph Levada, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e fesë dhe kryeipeshkvi Paul Josep Cordes, kryetar i Këshillit Papnor ‘Cor Unum’.
‘Një reflektim i thellë dhe ndriçues mbi dashurinë e krishterë’ – kështu e quajti kardinali Martino Enciklikën e parë të Benediktit XVI, duke vënë posaçërisht në dukje se në të përballohet problemi i mprehtë i aktivizmit shoqëror e bamirës pa shpirt, gjë që duhet t’i nxitë të gjithë të kultivojnë arsyet dhe motivacionet shpirtërore që e dallojnë Kishën e të krishterin e që i japin kuptim e vlerë çdo veprimtarie.
Kryeipeshkvi Levada ripohoi se ‘Deus Caritas est’ është një tekst i fortë, që i kundërvihet përdorimit të gabuar të emrit të Zotit dhe dykuptimësisë të nocionit të dashurisë në botën e sotme. Papa vë në dukje se dy konceptet nuk i kundërvihen njëri-tjetrit, por harmonizohen, për të ofruar një konceptim realist të dashurisë njerëzore, dashuri që përkon me tërësinë e vetë njeriut”.
E së fundi, Kryeipeshkvi Cordes, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, nënvizoi se ky dokument i Papës është shumë i rëndësishëm për dikasterin që kryeson e se është enciklika e parë kushtuar bamirësisë.
Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, Navarro Valls deklaroi se “Deus Caritas est” ka nisur të shkruhet në Castel Gandolfo verën e kaluar, pas pushimeve të Benediktit XVI në Valle d’Aosta dhe është nënshkruar më 25 dhjetorin e kaluar. Pas kësaj date ka kaluar një muaj, gjatë të cilit është përgatitur përkthimi në gjuhë të ndryshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.