2006-02-04 15:00:40

Deklaratë e Konferencës Ipeshkvnore Polake mbi rezolutën e Parlamentit Evropian lidhur me homofobinë apo dënimin e çdo sjelljeje që poshtëron, diskriminon e dhunon homoseksualët.


‘Kohët e fundit – vërejnë ipeshkvijtë polakë në Deklaratë – Bashkimi Evropian po kërkon rrugë të reja, që çojnë në saktësimin e pranisë së tij në arenën ndërkombëtare dhe në jetën e shteteve anëtare. Një shembull mund të jetë përpjekja për të përcaktuar saktë qëndrimin lidhur me konfliktet në Lindjen e Mesme si dhe rreziqet që lidhen me ambiciet bërthamore të disa shteteve. Në kuadrin e politikës së brëndshme të Bashkimit është e detyrueshme të vërehet arritja e kompromisit në çështjen e buxhetit’. Kështu shkruajnë prelatët polakë dhe, në vijim, theksojnë se janë thellësisht të hidhëruar për prirjet tejèt negative që janë dukur në Parlamentin Evropian. Ato dëshmojnë se kriteri themelor për funksionimin korrekt të Bashkimit, dmth parimi i subvencionimit, nuk respektohet. Këtë e tregon qartë fakti i miratimit të një rezolute, e cila edhe pse nuk i detyron shtetet anëtare, mund të përfaqësojë një presion moral mbi shtetet e Bashkimit, e kjo flet për tradhtimin e vlerave themelore të qytetërimit tonë – theksojnë ipeshkvijtë.
Rezoluta e Parlamentit Evropian, miratuar në Strasburg më 18 janar 2006, që dënon homofobinë, me të drejtë i kundërvihet diskriminimeve, poshtërimit dhe ushtrimit të dhunës ndaj personave me prirje homoseksuale. Por njëkohësisht, përmes thirrjes drejtuar qeverive të vendeve anëtare që të rishikojnë ligjshmërinë lidhur me partnerin e të njëjtit seks, cënon normat e jetës shoqërore në Evropë. Kjo rezolutë, duke shfrytëzuar temën e diskriminimit të personave me prirje homoskesuale, krijon tërthorazi idenë e trajtimit të barabartë të bashkimit ndërmjet burrit e gruas me atë të bashkimit të personave të të njëjtit seks. Me këtë shtrembëron të vërtetën e rrënjosur në natyrën e njeriut, që u krijua si mashkull e femër – nënvizojnë me forcë ipeshkvijtë polakë. - Si pasojë rezoluta përbën një rrezik serioz për jetën martesore e familiare si dhe për gjithë rendin e jetës shoqërore në Evropë – shkruajnë ipeshkvijtë polakë, dhe në vijim shprehin solidaritetin me të gjithë Episkopatet tjera Evropiane, me të gjitha mjediset e krishtera e me mbarë njerëzit vullnetmirë, që janë të një mendjeje lidhur me të vërtetën antropologjike dhe protestojnë kundër këtij atentati që i bëhet jo vetëm themeleve të funksionimit korrekt të Bashkimit Evropian, por edhe vetë jetës së njerëzve.
Prelatët polakë i bëjnë thirrje Parlamentit Evropian t’i shmanget veprimeve të cilat kanë karakterin e diktaturës të relativizmit, që vë në rrezik lirinë e ndërgjegjes të nënshtetasve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.