2006-02-03 19:47:48

Protestat në botën islamike kundër karikaturave të Muhametit publikuara ditë më parë nga disa gazeta evropiane.


Karikaturat e Profetit Muhamet
Nuk kanë të sosur protestat në botën islamike kundër karikaturave të Muhametit publikuara ditë më parë nga disa gazeta evropiane. Mbreti Abdullah i Jordanisë, i përkufuzoi si fyerje ndaj profetit, prandaj edhe krim i pajustifikueshëm nën pretekstin e lirisë së shprehjes. Manifestimet e protestës po shndërrohen edhe në dhunë. Në Xhakartë, qindra protestues hynë në ambasadën daneze në Indonezi. Kurse në Irak u dogjën flamujt danez dhe u bojkotuan prodhimet daneze. Lidhur me këtë çështje flasin në mikrofonin e Radio Vatikanit, Jonuz Taufik, shkrimtar e gazetar irakian.
Përgjigje: Të protestosh është po aq e rëndësishme sa të mbrosh lirinë tënde. Por si mysliman mund të them se liria duhet të ketë sidoqoftë një cak. Ekzistojnë edhe detyrimet etike e morale që nuk i lejojnë një myslimani të përqeshë figurat e shenjta të Krishtërimit dhe as ato të hebraizmit. Këto figura të shenjta janë pronë e kolektivitetit dhe nëse unë i kapërcej kufijtë, u bie ndesh ndjenjave të kolektivitetit.

Pyetje: Bota islamike ngrihet kundër karikaturave që konsiderohen si blasfemike, dhe një pjesë e madhe e të krishterëve solidarizohen. Por, gjithashtu është e vërtetë se në dia vende islamike të krishterët nuk mund të shpallin besimin e vet fetar në mënyrë publike. Sa ndihet tema e të drejtave reciproke në botën islamike?

Përgjigje: Këtu myslimanët gabojnë. Gabojnë dy herë: gabojnë kur protesta shndërrohet në dhunë, sepse të gjithë kanë të drejtë të protestojnë por në mënyrën më paqësore të mundshme. Nga ana tjetër, gabojnë kur nuk i lënë hapësirë të tjerëve të shpallin lirshëm besimin që kanë, sepse nëqoftëse myslimanët pretendojnë se kanë të drejtë të shpallin fenë e tyre, duhet t’ua njohin këtë të drejtë edhe të tjerëve.

Edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-ës Kofi Annan, pohoi sot se “liria e shtypit duhet të ushtrohet gjithnjë në mënyrë që të respektohen plotësisht besimet fetare. Nga ana tjetër kryeministri danez Rasmussen nuk u kërkoi myslimanëve të falur zyrtarisht për botimin e karikaturave. “Nuk është e mundur që të kërkohet e falur – komentoi Rasmusseni – në një vend ku nuk ekziston asnjë kontroll i Shtetit mbi lirinë e shtypit”. Të dëgjojmë tani opinionin e prof. Xhuzepe Laras, kryerabinit të Milanos:

Laras: Përgjigje: Unë mendoj se diçka i lihet në mirëbesim edhe sensit moral, mirëkuptimit dhe ndjenjës së masës. Është e qartë se ekziston koncepti i lirisë së shtypit. Por ekziston edhe e drejta që të mos fyhen simbolet e fesë sate. Prandaj lypset të kemi ndjenjën e respektit për besimet e të tjerëve, për simbolet fetare të të tjerëve, duke patur parasysh se islami në veçanti është një shoqëri që ka në qendër të vet atë që është e shenjtë.

* * *
“Shprehim keqardhje dhe hidhërim për mungesën e respektit ndaj profetit të Islamit dhe lutemi së bashku me vëllezërit myslimanë që dashuria hyjnor të mbizotërojë në botë” kështu thuhet në komunikatën për shtyp të patriarkut ekumenik Bartolomeut I. Solidaritet shprehu sot( më 3 shkurt) edhe Imzot Aldo Xhordano, sekretar i këshillit të Konferencës Ipeshkvnore evropiane:

Xhordano: Përgjigje: përshtypja ime është se duhet të diskutojmë. Ka satirë e satirë, me fjalë të tjera ka satirë edhe vulgare, satirë që nuk respekton. Nëse një satirë e tillë i drejtohet babait apo nënës sime, unë do të reagoja. Shoh se e gjithë bota e krishterë është e dëshpëruar dhe vuan për satira të këtij lloji ndaj vëllezërve tanë të një besimit tjetër. Përkundrazi sikur të ishte një satirë intelektuale dhe simpatike, që nuk fyen persona, ajo lloj satire do të mund të pranohej.

Pyetje: Përse në botën perëndimore nuk ka reagim për karikaturat blasfeme që u drejtohen të krishterëve?

Përgjigje: Ne besojmë në një Zot që u mishërua, pra që u bë njeri, që hyri në histori. Kjo na bën që të frikësohemi më pak nga satirat apo qëndrimet e ndryshme. Krishti qysh në çastin që u bë njeri u ekspozua. Atë e satirizuan qysh në kohën e vet. Prandaj ne të krishterët frikësohemi më pak nga kjo gjë. Por nuk jemi të kënaqur, edhe ne dëshpërohemi shumë kur ka satira vulgare dhe fyese. Na vjen keq dhe vuajmë me të vërtetë. Por në një mënyrë o në një tjetër mund ta durojmë sepse vetë Krishti vuajti deri në kryq, deri në fyerjen më poshtëruese që mund të ekzistonte në atë kohë, kryqëzimin. Prandaj duke ndjekur Mjeshtrin tonë edhe ne në një farë mënyre vuajmë së bashku me Të.
00:05:20:21







All the contents on this site are copyrighted ©.