2006-02-03 15:59:33

Festa e Paraqitjes së Jezusit në Tempull në Bazilikën e Vatikanit: dy dëshmi nga jeta rregulltare.


Më 2 shkurt pasdite, në festën e Paraqitjes të Zotit në Tempull, Papa Benedikti XVI kryesoi Meshën e Shenjtë në bazilikën e Vatikanit, në sa Kisha kremtoi edhe Ditën kushtuar Jetës Rregulltare.

Festa e ‘Paraqitjes së Zotit në tempull’, festë e Krishtit “dritës së popujve” dhe e takimit të Mesisë me popullin e vet në Tempullin e Jeruzalemit, filloi me liturgjinë e dritës, për të vijuar me ndezjen dhe bekimin e qirinjve dhe me procesionin drejt Elterit të Katedrës në Bazilikën e Vatikanit, ku Papa kryesoi Meshën solemne, në bashkëkremtim me Imzot Franc Rodèn, Prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike dhe me bashkëpunëtorët e tij.
Homelinë Ati i Shenjtë Ratzinger ia kushtoi krejtësisht shpjegimit të domethënies së festës përmes komentit të leximeve liturgjike. ‘Festa e sotme e Paraqitjes së Zotit në Tempull, dyzet ditë pas lindjes së tij – shpjegoi Papa – na bën të rijetojmë një çast të rëndësishëm të jetës të Familjes Shenjte: sipas Ligjit të Moisiut, Krishti Fëmijë çohet në tempull nga Maria e Jozefi për t’iu kushtuar Zotit. Simoni e Ana, të frymëzuar nga Hyji, njohin në këtë fëmijë, Mesinë aq të pritur dhe profetizojnë për të. Jemi përballë një misteri, të thjeshtë e solemn njëheresh, në të cilin Kisha shenjte kremton Krishtin, të Shuguruarin e Atit, të Parëlindurin e njerëzimit të ri".
Këtë theksoi Papa në fillim të homelisë dhe më pas shpjegoi se procesioni me qirinj të ndezur, që shënoi fillimin e kremtimit, u kujtoi të pranishmëve hyrjen madhështore, të kënduar në Psalmin 23, të Atij që është Mbreti i lavdisë. "Por kush është Zoti i gjithëpushtetshëm që hyn në tempull? – pyeti Papa. Është një foshnje; është Krishti Fëmijë, ndër krahët e nënës së vet, Virgjërës Mari".
Më pas, duke u ndalur tek leximet liturgjike, nga fragmenti i profetit Malaki, tek Letra drejtuar Hebrenjve e tek Ungjilli sipas Shën Lukës, Papa theksoi se "liturgjia na paraqet Krishtin, ndërmjetësin që bashkon Zotin me njeriun, duke shlyer distancat, duke zhdukur çdo përçarje e duke shembur çdo mur që e ndan njeriun nga Zoti".
Më pas Ati i Shenjtë u pëqëndrua tek figura e Virgjërës Mari, njeriu i parë që e shoqëroi Krishtin në rrugën e bindjes, të fesë së vënë në provë e të dhembjes të jetuar pranë kryqit. Maria është Nëna e Atij që është ‘Lavdia e popullit të Izraelit’e ‘dritë për të ndriçuar njerëzit’, por edhe shenjë kundërshtie. Zemra e saj e papërlyer duhet të shporohet nga shpata e dhimbjes, duke treguar kështu se roli i saj në historinë e shëlbimit nuk përfundon në misterin e mishërimit, por plotësohet përmes pjesëmarrjes plot dashuri në vdekjen e ngjalljen e të Birit, Qëngjit që shlyen mëkatet e botës, dritës që i ndriçon njerëzit në rrugën e sigurtë të vërtetësisë e të dashurisë.
Duke shpjeguar edhe fjalët e Simonit plak: “Sytë e mi panë shëlbimin” e të Profeteshës Ana ‘që u flet për fëmijën të gjithë atyre të cilët prisnin Mesinë në Jeruzalem, Papa theksoi se në këtë mënyrë shpallet identiteti dhe misioni i Mesisë.
Më pas Papa Benedikti XVI kujtoi se më 2 shkurt Kisha kremtoi edhe Ditën e Jetës Rregulltare dhe falënderoi Zotin për dhuratën e çmuar të kësaj jete dhe të të gjitha formave të saj; njëkohësisht e ftoi mbarë popullin e Zotit t’i nderojë ata, të cilët ia kanë kushtuar gjithë jetën e tyre Zotit me kushtin e pastërtisë, të bindjes e të varfërisë së plotë, duke dëshmuar kështu praninë e Zotit në çdo kohë, edhe në kohët tona. E ky është shërbimi i parë që i bëjnë Kishës rregulltarët. Janë roje që shquajnë nga larg dhe që kumtojnë jetën e re, e cila tashmë është e pranishme në histori.
***
Pas përfundimit të homelisë liturgjia arriti kulmin me lutjen e falënderimit drejtuar Zotit për dhuratën e jetës rregulltare dhe me impenjimin për të ecur besnikërisht në gjurmët e Krishtit në misionin apostolik.
Liturgjia eukaristike përforcoi takimin e të pranishmëve me Krishtin dhe dhurimin e vetvetes bashkë me Të, në jetën rregulltare, që Krishti të jetë përgjithmonë dritë për të ndriçuar njerëzit!
***
Mijëra rregulltarë e rregulltare kryejnë misionin e tyre apostolik në shtigjet e pafundme të botës, duke iu kushtuar plotësisht Krishtit e duke u shërbyer njerëzve në emër e për dashuri të Tij. Se ç’vlerë ka misioni i tyre, jeta e tyre e dhuruar, mjafton të kujtojmë rregulltaren e madhe, të Lumen Nënë Terezë, që na e shpjegon kështu misionin e të krishterëve në përhapjen e Dritës së Krishtit:
“Të krishterët janë dritë për njeri-tjetrin dhe për mbarë botën: në se jemi të krishterë, duhet t’ia dëftojmë Krishtin botës. Gandi pat thënë një herë: “Sikur të krishterët ta jetonin me të vërtetë krishtërimin e tyre, në Indi nuk do të kishte më induistë”. Ja, pra, ç’ pret bota nga ne: që ta jetojmë fenë tonë të krishterë!
Unë lutem për secilin prej jush e kërkoj që të gjithë të jeni të shenjtë, në mënyrë që ta rrezatoni dashurinë e Zotit ngado që shkoni. Uroj që drita e Tij e së vërtetës të ndriçojë në jetën e secilit, në mënyrë që Zoti ta dojë botën përmes teje e përmes meje. Lereni, pra, zemrën tuaj të bëhet dritë flakëruese!”.
***







All the contents on this site are copyrighted ©.