2006-02-02 12:28:24

Letra e Papës drejtuar lëxuesve të revistes italiane 'Familja e krishtërë'.


Letra e Papës Benedikti XVI drejtuar lexuesve të revistës italiane “Familja e krishterë” për të paraqitur Enciklikën “Deus Caritas est” i bashkëngjitet numrit të saj të sotëm.
“Të dashura lexuese e lexues të Familjes së krishterë”: kështu e nis Benedikti XVI letrën, publikuar sot nga revista e rregulltarëve të Shën Palit, përmes të cilës Papa paraqet Enciklikën e tij të parë “Deus Caritas est”, e cila i bashkëngjitet numrit të sotëm.
***
Papa shpjegon se teksti i enciklikës në fillim mund të duket pak i vështirë e teorik. Por duke vijuar leximin, duket qartë se dokumenti ka për qëllim t’u përgjigjet disa pyetjeve shumë konkrete për jetën e krishterë. Pika e parë – shkruan Papa – është se Zotin mund ta duam me të vërtetë, sepse ai vetë na është afruar, madje ka hyrë në jetën e secilit nga ne: me sakramentet, me Kishën, duke na bërë të takojmë njerëz që përçojnë dritën e tij. Dashuria nuk është vetëm ndjenjë, por përfshin edhe vullnetin e intelektin, në mënyrë që të mësohemi ta duam Zotin me gjithë zemër e me gjithë shpirt:
***
“Dashurinë… nuk e gjejmë të bukur e të gatshme, ajo rritet; mund ta mësojmë, si të thuash, dalëngadalë, në mënyrë që ajo gjithnjë më tepër të pushtojë të gjitha forcat tona e të na hapë rrugën për një jetë të drejtë”.
***
Pika e dytë – shkruan Papa – është se mund ta duam të afërmin edhe në se mund të jetë i huaj për ne, madje edhe antipatik. Mund ta duam, në se jemi miq të Jezusit:
***
“Në se … miqësia e Tij pak nga pak bëhet për ne e rëndësishme dhe e gjallë, atëherë do të fillojmë t’i duam mirë të gjithë ata që i do Ai dhe që kanë nevojë për ndihmën time. Ai dëshiron që ne të bëhemi miqtë e miqve të tij e ne mund ta bëjmë këtë, në se jemi shpirtërisht pranë Tij”.
***
Më pas Papa shpjegon se feja të prin drejt gëzimit të plotë: nuk është aspak e vërtetë se Kisha, me urdhërimet e veta, na e bën të hidhur gëzimin e erosit, të të dashuruarit:
***
“Në Enciklikë Papa kërkon të tregojë se premtimi më i thellë i erosit mund të fitojë pjekurinë e vet vetëm kur nuk përpiqemi të kapemi pas lumturisë së menjëhershme. Përkundrazi duhet pasur durim për ta zbuluar tjetrin në thellësi, në tërësinë e korpit e të shpirtit, në mënyrë që më në fund lumturia e tjetrit të bëhet më e rëndësishme se imja. Atëherë nuk dëshiron më vetëm të marrësh, por të dhurosh e pikërisht në këtë çlirim nga vetvetja, njeriu gjen vetveten e mbushet plot me gëzim”.
***
Së fundi Benedikti XVI kujton lidhjen ndërmjet drejtësisë dhe bamirësisë, duke theksuar se Kisha nuk mund të heqë dorë nga shërbimi bamirës. Shenjtëria e Tij u kujton të krishterëve të impenjuar në profesione publike se u takon që në veprimtarinë e tyre politike t’i hapin gjithnjë rrugë të reja drejtësisë, në mënyrë që askush të mos vuaj nga mjerimi. E në se për vetë natyrën e vet Kisha nuk bën politikë drejtpëdrejtë, duke respektuar autonominë e shtetit, nga ana tjetër merr pjesë me pasion në betejën për drejtësinë, duke çuar dritën e fesë atje ku arsyja është e verbuar nga interesi e nga etja për pushtet. Por ajo që Papa e ka më për zemër, është të pohojë se drejtësia nuk mund ta bëjë kurrë të tepërt dashurinë:
***“Përtej drejtësisë, njeriu do të ketë gjithnjë nevojë për dashurinë, e vetmja që i jep shpirt drejtësisë. E kjo që thamë duket qartë në një botë kaq të plagosur si kjo e ditëve tona. Bota pret dëshminë e dashurisë së krishterë që na frymëzohet nga feja. Në botën tonë, shpesh herë tepër të errët, përmes kësaj dashurie vezullon drita e Hyjit’. RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.