2006-02-02 12:30:24

Audienca e përgjithshme e 1 shkurtit 2006 kushtuar 'Psalmit 144'


Zoti nuk është indiferent ndaj historisë së njerëzve, por ka projektin e tij të harmonisë dhe të paqes për njerëzimin: kështu u shpreh Papa Benedikti XVI në audiencën e së mërkurrës të përgjithshme, përqëndruar tek Psalmi 144, që lavdëron Madhërinë hyjnore.

 
Zoti nuk është indiferent ndaj historisë njerëzore, nuk jemi nën pushtetin e forcave të errta: këtë nënvizoi sot Papa në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, duke ripohuar me forcë se gjithë njerëzimi është i thirrur të bashkëpunojë me Zotin për përmbushjen e projektit shëlbues të Hyjit.

Një himn gazmor për të lavdëruar Zotin, i cili paraqitet si sovran i dashur e i butë, i shqetësuar për të gjitha krijesat e veta”- kështu e quajti Papa Psalmin 144, që ishte sot në qëndër të katekizmit të tij. Simbologjia mbretërore, zemër e këtij himni kishtar – nënvizoi Ati i Shenjtë – qëndrore edhe në predikimimn e Krishtit, është shprehje e projektit shëlbues të Hyjit:
***
Hyji nuk është indiferent ndaj historisë njerëzore, madje ka dëshirë të vërë në jetë planin e harmonisë dhe të paqes. Për ta përmbushur këtë plan mbarë njerëzimi është i thirrur të bashkëpunojë me vullnetin shëlbues hyjnor, një vullnet që shtrihet mbi të gjithë njerëzit, mbi të gjitha breznitë e mbi të gjithë shekujt.
***
Është fjala – shtoi Papa – për një veprim universal, që e shkul të keqen nga bota e në vend të saj vendos lavdinë e Zotit, ose më mirë të themi, praninë e tij personale, të efektshme e të mbinatyrshme. Ky Psalm – vijoi të shpjegonte Papa – shpall hyrjen e Zotit në ngjarjet njerëzore për ta çuar gjithë realitetin e krijuar në përplotësimin e vet shëlbues. Mesazh ky, jashtzakonisht aktual:
***
Ne nuk jemi nën pushtetin e forcave të errta, e as vetmitarë me lirinë tonë, por i jemi besuar veprës së Zotit të gjithëpushtetshëm e të dashur, që ka shestuar për ne një plan, një ‘mbretëri’ e cila duhet ndërtuar’.
***
Gjithsesi kjo ‘mbretëri’ - saktësoi Papa - nuk është mbretëri e forcës dhe e sundimit, e ngadhënjimit dhe e shtypjes, siç ndodh shpesh në mbretëritë tokësore, por është seli e shprehjes së mëshirës, butësisë, mirësisë, hirit, drejtësisë’. Mbi pushetin ngadhënjen madhështia e dhembshurisë së Hyjit’.
Në përfundim të katekizmit, duke përshëndetur besimtarët polakë, Papa kujtoi se nesër do të kremtohet Dita e jetës rregulltare dhe iu lut Zotit t’i mbështesë me hirin e tij motrat dhe vëllezërit që kanë zgjedhur pastërtinë, varfërinë e dëgjesën, si rrugë shenjtërimi. Më pas, duke përshëndetur drejtuesit e Administratës të burgjeve italiane, u ofroi besimtarëve një reflektim të thellë:
***
“Prania juaj më krijon mundësinë t’u kujtoj individëve dhe mbarë shoqërisë respektimin e normave etike dhe civile, që janë në bazë të bashkëjetesës njerëzore.
***
Mendimin e fundit Papa ia kushtoi Shën Gjon Boskut, që u përkujtua dje nga Kisha. Shikojeni atë – tha Ati i Shenjtë duke iu drejtuar të rinjve – si mësues të vërtetë jete e shenjtërie. RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.