2018-05-23 11:30:00

Më 23 maj kalendari përkujton Shën Gjon Pagëzuesin de Rossi


Më 23 maj kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Pagëzuesin de Rossi. Gjoni lindi më 22 shkurt 1698 në Voltagjio të Gjenovës, prej nga u largua që në moshën 13 vjeçare, për të shkuar në Romë, ku një xhaxha i tij ishte meshtar e kanonik i Kishës së Shën Marisë në Kosmedin. Në Romë ndoqi liceun e jezuitëve pranë Kolegjit Romak, ku edhe vendosi të bëhej meshtar. Në këtë periudhë u godit për herë të parë nga epilepsia, sëmundje që nuk iu nda gjithë jetën.

U shugurua meshtar më 8 mars 1721 e që atëherë iu kushtua me zell të jashtëzakonshëm apostullimit ndërmjet studentëve të varfër e njerëzve të braktisur, të cilin e kishte nisur që kur ishte nxënës. Nga ky apostullim lindi ‘Bashkimi i përshpirtshëm i priftërinjve shekullarë të Shën Galës’, sipas emrit të strehës mashkullore drejtuar prej tij. Pas kësaj Gjoni u përpoq të hapte edhe një strehë tjetër femërore. Ia arriti qëllimit. Streha e re u quajt me emrin e Shën Luigj Gonzagës, për të cilin kishte devocion të veçantë.

Nuk kishte lindur për t’u bërë prijës. I mjaftonte të bindej e të punonte me të gjitha forcat, pa u ankuar asnjëherë, pa komanduar kurrë, pa e shkarkuar barrën e punës së vet mbi kurrizin e të tjerëve. I zgjedhur kanonik i Kishës së Shën Marisë në Kozmedin, u shkarkua nga detyra e drejtuesit të korit, për t’iu kushtuar më lirisht misionit të tij apostolik.

Në muajt e fundit të jetës sëmundja e epilepsisë iu rëndua aq, sa u bë për të Kalvar i vërtetë. E ai iu ngjit kalvarit të jetës së vet, duke pasur gjithnjë parasysh Jezusin e Kryqëzuar. Vdiq më 23 maj 1764. U shpall Shenjt nga Leoni XIII më 8 dhjetor 1881.








All the contents on this site are copyrighted ©.