2018-05-21 13:51:00

Shembulli i Shën Ritës, rijetohet sot nga katër gra


Shërbim për të afërmin, këmbëngulje, përvujtëri e guxim në bartjen e kryqit: janë këto virtyte të Shën Ritës, karkateristike edhe për katër gra, që sot marrin në Kashia të Italisë, Ҫmimin ndërkombëtar kushtuar shenjtes së rasteve të pamundura. Në historinë e rregulltares augustiniane pasqyrohen sot edhe shumë histori të tjera. Grua, bashkëshorte, nënë, vejushë, murgeshë, bartëse e varrëve të Krishtit, Shën Rita e jetoi çdo çast të ditës, duke zbatuar vlerat e mikpritjes, të bamirësisë, të dialogut e të faljes.

Gratë me virtyte ritiane

 Virtytet e Shën Ritës u janë njohur Emanuela Disarò dhe Daniela Burigotti – nëna të dy të fejuarve venedikas, që gjetën vdekjen në zjarrin e Grenfell Tower në Londër – sepse e bartën këtë kryq, duke e kërkuar forcën tek feja; si edhe Sonja Vancakovà nga Koshice e Sllovakisë, pasi luftoi dhe besoi deri në fund në vlerën e familjes, duke e shndërruar përvojën e saj të vështirë familjare në ndihmë konkrete në favor të familjeve të tjera në vështirësi. E më tej, Giuseppina Ceccaroni nga zona e Perugia-s, në Itali, pasi i përballoi pengesat e jetës, duke e marrë forcën nga feja e nga shërbimi për të afërmin. Sot pasdite, ato marrin çmimin, që është thjesht një pergamenë ku njihen virtytet e tyre, nga dora e eprorit të përgjithshëm të Urdhërit Augustinian, atë Alejandro Moral Antòn, në Bazilikën e Shën Ritës, në Kashia.

Binjakëzimi i 60-të i fesë dhe i paqes: Kashia – Koshice

Në vigjilje të përkujtimit liturgjik të shenjtes së Rokaporenës, sot, në orën 18.30, kremtimi i Kalimit të saj në amshim, ndërsa në orën 21.30, mbërrin Pishtari i Paqes, simbol i Binjakëzimit të fesë e të paqes, që çdo vit, bashkon Kashën me një qytet tjetër, që mban emrin e Shën Ritës. Këtë vit, në edicionin e 60-të të kësaj nisme, qyteti është Koshice në Sllovaki, ku ndodhet një bashkësi augustinianësh e ku më 8 maj u shugurua një kishë, që i kushtohet Shën Ritës.

Tradita e bekimit të trëndafilave

Nesër, 22 maj, kulmi i festës së Shën Ritës, do të kremtohet mesha papnore në tremen e Bazilikës. Këtë vit, do të kryesohet, në orën 11, nga kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Ҫështjet e Shenjtorëve. Në përfundim, lutja drejtuar Shën Ritës dhe bekimi tradicional i trëndafilave, simbol i shenjtes. Ato ruhen, ose i dhurohen dikujt, që ka nevojë për ngushëllim.








All the contents on this site are copyrighted ©.