2018-05-20 07:30:00

Shenjtorët e javës 20 - 27 maj


E diel 20 maj, Kisha katolike kremton solemnitetin e Rrëshajëve. Po më 20 maj, kalendari kishtar përkujton shën Bernardinin nga Siena, françeskan, shën Lidien e Shën Aurën, martire nga Ostia afër Romës. Solemniteti Rrëshajëve shënon Zbritjen e Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull së bashku me Marinë, shënon pikërisht plotësimin e premtimeve të Jezu Krishtit: dërgimin e Shpirtit Shenjt për t’i ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. Ai u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Me ndihmën e Shpirtit Shenjt ecim plot shpresë në kërkim të së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin.

Gjithnjë më 20 maj, kalendari kishtar përkujton shën Bernardinin nga Siena, meshtar françeskan. Liturgjia e ditës na fton të mos e humbasim identitetin e krishterë, e të kujtojmë urdhërimin e Jezusit: duajeni njëri-tjetrin, ashtu siç ju kam dashur unë ju, deri në flijimin e jetës.

Të hënën më 21 maj, kalendari kishtar përkujton shën Kristoforin Magalanes, meshtar e shokët e tij martirë në Meksikë dhe, Shën Eugjenin Mazenod, ipeshkëv i Marsejës, themelues i Oblatëve të Zojës së Papërlyer. 

Të martën më 22 maj, kalendari kishtar përkujton shën Ritën nga Kasha, rregulltare agostiniane dhe Shën Julianën, virgjër e martire. Liturgjia e ditës na kujton se i krishteri është i thirrur të jetë dëshmitar i dashurisë së Krishtit. Për t’i qëndruar besnik kësaj thirrjeje, duhet të kërkojë dritë e forcë nga Shpirti Shenjt, që është dashuria e Birit dhe e Atit.

Të mërkurën më 23 maj, kalendari përkujton shën Gjon Batistin de Rosi, meshtar romak. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është gjithmonë me ne: na e ka premtuar ai vetë. Edhe pse nuk e shohim, Shpirti i Tij Shenjt e gjallëron fenë tonë, na forcon, na ndriçon e na ngushëllon. 

Të enjten më 24 maj, Kisha katolike kremton festën e Zojës Ndihmëtare. Asaj i drejtohen besimtarët me lutje e përgjërime, që të ndërhyjë pranë Atit Qiellor për hallet e dertet e secilit. Kjo Zojë e Bekuar nderohet në shumë treva shqiptare, ku Nënës së Krishtit i janë kushtuar kisha të lashta e të reja. Po në këtë ditë, përkujtohet edhe shën Vinçenc Lerini.

Të premten më 25 maj, kalendari përkujton shën Bedën, meshtar benedektin e Doktor i Kishës, shën Marinë Madalenë de Paci, virgjër dhe shën Gregorin VII, papë. Liturgjia e ditës u tërheq vëmendjen të krishterëve të mos shkëputen nga Krishti, sepse pa Të nuk janë më të zotë për asgjë. Nëse qëndrojmë të bashkuar me Krishtin, edhe sprovat më të rënda të jetës japin fryte të mrekullueshme.

Të shtunën më 26 maj, kalendari përkujton shën Filip Nerin, themelues i Kongregatës së Priftërinjve të Oratorit; shën Eleuterin papë e shën Simetrin, martir. Liturgjia e ditës na kujton këngën e Psalmistit: “Vetëm në Zotin pushon shpirti im”. E Jezusi na siguron: “Lum ata që vuajnë, sepse do të ngushëllohen”. 

Të dielën e ardhshme Kisha katolike do të kremtojë solemnitetin e Trinisë Shenjtë. Po më 27 maj, kalendari kishtar përkujton shën Augustinin, kryeipeshkëv i Kanterbërit. Festa e Trinisë Shenjte na thërret të jemi bashkësi dashurie e jete sepse Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie: këtë na kujton misteri i Njënisë dhe e Trinisë së Tënzot. Hyji është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini. Të kremtosh festën e të Shenjtënueshmes Trini për besimtarin domethënë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.








All the contents on this site are copyrighted ©.