2018-05-20 12:56:00

Papa në Meshën e Rrëshajëve: Shpirti Shenjt ndryshon zemra e ngjarje


Si erë e furishme, që  ndryshon realitete e natyrë, Shpirti Shenjt është forcë hyjnore, që ia ndërron faqen botës, “hyn në zemër të situatave dhe i shndërron”, “shndërron zemrat e shndërron ngjarjet”. Është forcë qendërsynuese, që shtyn drejt brendësisë, drejt qendrës, sepse vepron “në thellësi të zemrës”, por edhe forcë centrifuge, që shtyn drejt jashtësisë, “drejt çdo periferie njerëzore,  drejt vëllezërve”.

Shpirti Shenjt i shndërron zemrat

Papa Françesku, në homelinë e Meshës të Solemnitetit të Rrëshajëve, kujtoi  sesi zemrat e Apostujve u shndërruan prej Shpirtit: “Nga njerëz të lëkundur, që ishin, u bënë guximtarë, “nga të trembur, kur Jezusi ishte mes tyre”, u bënë “trima si zana pa Të” e u shtynë deri thellë në kufijtë e botës, për të kumtuar Ungjillin.

Shndërrim, që e kënaq plotësisht njeriun

“Shpirti i Zotit i çliron shpirtrat e njerëzve të ngrirë nga frika, vijoi Papa - “e shtyn për shërbim, atë që është mësuar të jetojë në rehati. E bën të ecë, atë që beson se ka arritur. E bën të ëndërrojë atë, që nuk ka më as ëndrra”. Shndërrim, që e kënaq plotësisht zemrën e njeriut, në ndryshim nga premtimet e rreme të çdo përpjekjeje njerëzore për t’i ndryshuar gjërat:

“Shndërrimi i Shpirtit Shenjt ndryshon; nuk e revolucionon jetën përreth nesh, por i shndërron zemrat tona; nuk na çliron sakaq nga problemet, por na çliron përbrenda, duke na dhënë forcë t’i përballojmë; nuk na e jep gjithçka menjëherë, por na shtyn të ecim, plot besim, pa u lodhur kurrë nga jeta. Shpirti Shenjt e mban zemrën gjithnjë të re!”.

Përtëritës i jetës

Duke na e përtërirë zemrën, Shpirti Shenjt na shndërron nga mëkatarë, në të falur e na bën me të vërtetë të lirë, posaçërisht kur jemi të lodhur e të këputur  nga barra e jetës e kur  të shkosh përpara e të vazhdosh të duash, të duket krejtësisht e pamundur:

“Atëhere do të na duhej një 'ripërtëritës' i fortë: është Ai, forca e Zotit. Është Ai që, siç e shpallim në Besojmë, jep jetë.  Sa mirë do të na bënte po ta merrnim çdo ditë këtë ripërtëritës jete. Sa mirë po të themi, sapo zgjohemi: ‘Eja, Shpirti Shenjt, eja në zemrën time, eja në ditën time!’”.

Shpirti Shenjt i ndryshon ngjarjet

Shpirti, pastaj, i ndryshon edhe  ngjarjet e arrin deri në situatat më të rënda. Si Pali, që shtegton deri në viset më të humbura, duke ua çuar Ungjillin popullsive, që nuk i kishte parë kurrë, ose si episodi i Filipit diakon, udha e të cilit i kujtoi Papës ndeshjet e këtyre ditëve në kufirin ndërmjet Izraelit dhe Rripit të Gazës:

“Shpirti i shtyn në një udhë të shkretë, nga Jeruzalemi - në Gazë - e sa dhimbshëm tingëllon sot ky emër! – Shpirti Shenjt i shndërroftë zemrat e ngjarjet e i sjelltë paqen Tokës Shenjte!”.

Si fëmija, e ndërron jetën

Kur është Shpirti Shenjt, ndodh gjithnjë ndonjë gjë - vijoi Françesku - kur fryn Ai, nuk ka kurrë bunacë. E pra, megjithëkëtë, ne shpesh i mbledhim velat, edhe pse e kemi parë duke kryer mrekulli në kohët më të stuhishme.

Është ashtu si kur në një familje lind fëmija: ndryshon oraret, rrënon gjumin, por ama sjell edhe gëzimin, që rinon jetën, duke e shtyrë përpara, duke e mbushur me dashuri. Ja, pra, Shpirti Shenjt sjell “shijen e foshnjërisë në Kishë”.

Paqe e shpresë në botë

Kush jeton sipas Shpirtit Shenjt - përfundoi Papa - është gjithnjë në tension shpirtëror drejt Zotit e drejt botës. Lutja, që fryn në zemrat tona e na bën ta ndjejmë dhembshurinë e Atit,  fryftë edhe mbi Kishën, që të mos sjellë tjetërkënd, veç Atij, e fryftë mbi botën, “ngrohtësia delikate e paqes dhe flladi i freskët i shpresës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.