2018-05-18 11:42:00

Civiltà Cattolica: Jeruzalemi, vend paqeje e jo përçarjeje


Për të gjithë njerëzit, Jeruzalemi duhet të jetë “qytet i hapur e të përfaqësojë një vend bashkimi e paqeje, e jo ndarjeje e përçarjeje”. Kështu shkruan revista e jezuitëve “Qytetërimi Katolik” (Civiltà Cattolica), në një artikull me titull “Jeruzalemi, qytet i shenjtë e qytet i hapur”. Artikulli mban firmën e atë Giovanni Sale, i cili nënvizon se vendimi i presidentit amerikan Trump për ta zhvendosur ambasadën e SHBA-ve nga Tel Avivi në Jeruzalem ka “rëndësi të madhe politike, sepse e kundërshton vijën e ndjekur deri tani nga pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare”.

Statusi i ardhshëm i Jeruzalemit sjell pasoja për gjithë botën

 Revista e jezuitëve vë në dukje ngjarjet e dhjetëvjeçarëve të fundit, duke treguar se “problemi i Qytetit Shenjt e ai i zgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez, lidhen ngushtë e varen nga njëri-tjetri. Kjo s’mund të injorohet e, aq më pak, të nënvlerësohet”. Atë Sale përshkon ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Jeruzalemit, që nga Lufta II Botërore e deri sot, duke vënë në dukje se “për shkak të rëndësisë, që ka Jeruzalemi për tri fetë monoteiste, ajo që ndodh në këtë qytet ndikon në gjithë botën”.

Zgjidhja e drejtë për Jeruzalemin do të sjellë paqen në Lindjen e Mesme

Në çdo rast, vijon artikulli, “konflikti izraelit nuk do të përfundojë kurrë, deri sa të mos gjendet një zgjidhje e përbashkët për Jeruzalemin”. Që nga Marrëveshja e Oslos e deri në Takimin e Camp David, vëren atë Sale, “historia e afërt na mëson se është e pamundur të arrihet marrëveshja e paqes ndërmjet dy popujve, pa e përcaktuar më parë statusin e Qytetit Shenjt”.








All the contents on this site are copyrighted ©.