2018-05-16 13:51:00

Ndeshje në Gazë. Imzot Lang: “Izraeli s’duhet të përdorë forcë të tepruar”


“Humbja e tmerrshme e jetëve njerëzore në Gazë, shkaktuar nga përdorimi i municioneve të vërteta kundër civilëve nga ana e ushtrisë izraelite, është për t’u dënuar pa apelim. Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por ka edhe përgjegjësinë morale e ligjore të mos përdorë forcë të tepruar e të mos i pengojë të plagosurit të mjekohen”. Kështu deklaron kreu i Koordinimit për Tokën Shenjte, imzot Declan Lang, në përfaqësi të ipeshkvijve të SHBA-ve, Kanadasë, Bashkimit Evropian dhe Afrikës së Jugut.

Bëjmë thirrje për zgjidhjen paqësore "dy popuj, dy shtete"

Deklarata u bë e njohur mbrëmë dhe u nënshkrua edhe nga përfaqësuesi i Kishës së Anglisë në këtë organizëm, imzot Christopher Chessun. “Këto protesta – lexohet më tej në tekstin e botuar nga agjencia kishtare Sir – bëhen kundër përkeqësimit drastik të gjendjes humanitare, që i lë pak shpresa dhe e minon arritjen në një rezolute paqësore. Qindra familje në gjithë Gazën po vajtojnë të dashurit e tyre, të vdekur e të plagosur. Ҫdo formë dhune është shkatërrimtare për paqen e ne bëjmë thirrje për zgjidhjen paqësore ‘dy popuj, dy shtete’, me Jeruzalemin si kryeqytet të përbashkët. Lutemi për gjithë ata, që e vuajnë këtë konflikt dhe për paqen në Jeruzalem”, përfundon deklarata e Koordinimit për Tokën Shenjte.








All the contents on this site are copyrighted ©.