2018-05-14 14:43:00

Papa takon ipeshkvijtë kilianë nga 15 deri më 17 maj, mbi çështjen e abuzimeve


         Papa Françesku do të takojë që nesër e deri më 17 maj, në një studio pranë Sallës Pali VI, në Vatikan, ipeshkvijtë e Kilit. Njoftimin e jep një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. “Ky takim ndjek mbledhjen e mëparshme të Episkopatit kilian, më 8 prillin e kaluar. Ati i Shenjtë, i nxitur nga rrethanat dhe nga sfidat e jashtëzakonshme që shtruan abuzimet me pushtetin e me ndërgjegjen, si edhe abuzimet seksuale në Kili, gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, e konsideron të nevojshme shqyrtimin e thellë të kauzave dhe të pasojave, si edhe të mekanizmave që, në disa raste, kanë çuar në fshehjen e gjendjes e në mungesa të rënda para viktimave. Gjatë takimeve – vijon nota e Sallës së Shtypit – Papa Françesku dëshiron të paraqesë përfundimet personale, në të cilat ka arritur pas misionit të veçantë në Kili të kryeipeshkvit maltez, imzot Charles Scicluna dhe të atë Jordi Bertomeu i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, plotësuar nga dëshmi të shumta, me shkrim e me gojë, që kanë vazhduar t’i mbërrijnë Shenjtërisë së Tij, gjatë javëve të fundit”.

Ndryshime të përshtatshme e të qëndrueshme

         “Gjatë takimeve, në të cilat do të marrin pjesë 31 ipeshkvij dioqezanë e ndihmës, si edhe 2 ipeshkvij të nderit – vijon komunikata e Sallës së Shtypit të Vatikanit – Papa do të shoqërohet nga Prefekti i Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinali Marc Ouellet. Objektivi i këtij ‘procesi të gjatë sinodal’ është të shqyrtohet bashkërisht, në praninë e Zotit, përgjegjësia e të gjithëve dhe e secilit për këto plagë shkatërrimtare, si edhe të studiohen ndryshimet e përshtatshme e të qëndrueshme, që pengojnë përsëritjen e këtyre akteve të dënueshme. Është themelore të rivendoset mirëbesimi në Kishë, përmes barinjve të mirë, që e dëshmojnë me jetë se e kanë njohur zërin e Bariut të Mirë, dinë t’i shoqërojnë viktimat në vuajtje, si edhe të punojnë me vendosmëri e pa u lodhur për parandalimin e abuzimeve. Ati i Shenjtë i falenderon sivëllezërit ipeshkvij për gatishmërinë që të dëgjojnë me butësi e përvujtëri Shpirtin Shenjt dhe i bën sërish thirrje Popullit të Zotit në Kili të lutet për kthimin e të gjithëve në udhën e Hyut. Nuk parashikohet që Papa Françesku të japë ndonjë deklaratë as gjatë e as pas takimeve, që do të mbahen në konfidencialitet absolut”, përfundon komunikata e Sallës së Shtypit.








All the contents on this site are copyrighted ©.