“Mjet-kyç për të siguruar paqen, është “angazhimi ynë i krishterë në familje, në shkollat tona, në institucionet e formimit, por edhe, e sidomos, në politikë”. E kujton Papa Françesku në Mesazhin për Ditën e 101-të të besimtarëve katolikë gjermanë, Katholikentag, që kremtohet në Münster, deri të dielën e ardhshme. “Kërkoje paqen”- është motoja e këtij manifestimi e, pikërisht paqes, i kushtohet edhe mesazhi i Papës.
Problemi i fanatizmit dhe i dhunës
Tema më e rëndësishme e debatit politik mbi fenë, është ajo e fanatizmit dhe e përhapjes së dhunës - vëren Françesku - sepse kudo që njeriu nuk konsiderohet si dhuratë e Zotit, ka mospajtim, urrejtje, hakmarrje”. Në veçanti Papa shpreh shqetësimin e tij të thellë për fëmijët e të rinjtë që, të detyruar të ikin për shkak të konflikteve, trokasin në “portat tona”, për të kërkuar një strehë: “në sytë e tyre shohim mallin për paqen”.
Të nxëmë nga historia jonë
Katholikentag, që kremtohet në Münster, na nxit, para së gjithash “të nxëmë, nga historia jonë, udhën e paqes për ardhmërinë”. Pikërisht në këtë qytet gjerman, 370 vjet më parë, domethënë në vitin 1648, u nënshkrua një nga traktatet e paqes, i njohur si traktati i Vestfalisë, që i dha fund luftës 30-vjeçare. “U vendos - kujtoi - që lufta vrasëse, e kryer nga njeriu, edhe duke shpërdoruar emrin e ndonjë feje, të merrte fund”.
Angazhimi i të krishterëve të të gjitha feve për paqen
Në mesazhin e Papës theksohet posaçërisht rëndësia e angazhimit të të krishterëve. Paqja lulëzon edhe kur të krishterët e konfesioneve të ndryshme “e manifestojnë dhe e dëshmojnë Krishtin, të bashkuar publikisht dhe angazhohen së bashku në radhët e shoqërisë, me bindjen se “Krishti është paqja jonë”. Pa harruar se paqja kërkon edhe angazhimin e të gjithë njerëzve vullnetmirë të feve të ndryshme. Të gjithë mund të jenë “gurë të çmuar” dhe “kasnecë të paqes”. Është Krishti, që erdhi në botë si fëmijë i pambrojtur, Ai që na shikon me sytë e çdo fëmije, kudo që të ketë lindur. Fëmijët - nënvizon me forcë Papa - janë ardhmëria.
Pjesëmarrje e të gjithëve, për mirëqenien e shoqërisë
Themel i paqes së qëndrueshme, është, pastaj, pjesëmarrja e barabartë e të gjithëve në mirëqenien e shoqërisë e, në këtë kuptim, veprat e ndihmës së Kishës, të shoqatave e të shumë famullive, janë kontribut serioz.
Paqja nis edhe nga fjalët
Nuk duhet harruar se paqja fillon edhe nga zgjedhja e fjalëve, që duhet të jenë të mira, të besueshme, e, sidomos, që e duan të vërtetën. Paqes i shërbejnë shumë edhe “fjalët e lutjeve tona” - kujton Françesku në mesazh - duke uruar që këto ditë të jenë festë e madhe feje e shenjë paqeje, që duket edhe nga larg”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |