2018-05-10 07:30:00

Lev dhe Muzetë e Vatikanit, së bashku në Sallonin e Librit të Torinos, nga 10 deri më 14 maj


Edhe sivjet Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV), do të jetë e pranishme në Sallonin e Librit të Torinos, nga 10 deri më 14 maj, me një pavijon të ri (Pavijoni 2 Lo5-Ko6), së bashku me Muzetë e Vatikanit.

Koncepti ekspozitiv i pavijonit, i arkitektëve Sabina Antonini, Alessandra Copa dhe Andrea Lancelloti, i përgjigjet “sfidës” të temës së edicionit XXXI të Sallonit – “Një ditë, e gjithë kjo…ose të arsyetosh së bashku për idenë e ardhmërisë: si do të jetë bota? Kush dua të jem unë vetë?”. Prej këndej vendosja e tij u mendua si një hapësirë, ku mund të shkëmbehen lirisht idetë.

Dy realitetet editoriale - Shtëpia Botuese e Vatikanit dhe Botimet e Muzeve të Vatikanit - u menduan si dy epiqendra dinamike, në zemër të pavijonit, përmes përdorimit të dy elementeve gjysëmcilindrike në formë kulle, të pavarura, që dialogojnë me gjithçka i rrethon, duke pohuar praninë e tyre e duke plotësuar njëri-tjetrin.

Dy gjysëm-cilindrat krijojnë një lojë ndërmjet hapësirave pozitive e negative, hapësira tranzicioni, hapësira të ndërmjetme, ndërmjet brendësisë e jashtësisë: janë hapësira, që mund të përdoren për lexim e për takim, por edhe për dialog me autorët për librat e tyre e edhe për biseda ndërmjet lexuesve e vizitorëve. Editoria e Vatikanit, shprehje kulturore e besimit në Krishtin, niset nga premisa, sipas së cilës: “Të besosh, do të thotë të komunikosh”. Prej këndej i shërben gjithnjë takimit, dialogut, shkëmbimit të mendimeve ndërmjet njerëzve, kulturave, feve dhe përvojave. Pjesa tjetër ekspozitive organizohet me vijat simetrike të librarive, mbi një dysheme të ngjyrosur me të verdhën tradicionale të Vatikanit.  








All the contents on this site are copyrighted ©.