2018-05-09 08:00:00

Motër Terezina Jaku, Eprore e re Provinciale e Motrave Salvatoriane në Itali


Motër Terezina Jaku, është zgjedhur Eprore e re Provinciale e Motrave Salvatoriane në Itali. Më 29 prill të kaluar, Motrat Salvatoriane të Provincës italiane, kanë zgjedhur Eproren e re Provinciale, së bashku me ekipin qeverisës, që do të fillojë misionin më 5 shtator të ardhshëm, për tre vite. Nga këto zgjedhje provinciale, për herë të parë në historinë e Kongregatës rregulltare të Motrave Salvatoriane, është zgjedhur Eprore Provinciale një motër rregulltare nga Shqipëria, motër Terezina Jaku. 

Po kujtojmë se Kongregata e Motrave Salvatoriane u themelua në vitin 1888 nga Atë Françesko Maria e Kryqit Jordan. KARISMA e kësaj kongregate rregulltare është jeta e pasosur, frymëzuar nga fjalët e Jezusit sipas Ungjillit të Gjonit: "Që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin" (Gjoni 17, 3). Shtëpia Nënë, selia e Eprores së Përgjithshme të kësaj kongregate është në Rome, ndërsa misioni tyre është i përhapur në të gjitha kontinentet.

Ndërsa Misioni i Motrave Salvatoriane në Shqipëri, mision që është nën kujdesin e Provincës italiane, me seli në qytetin Frosinone, filloi para gati 25 vjetësh, me misionin në Fushë Krujë që nga viti 1994, e më vonë edhe në fshatin Rragam e Sheldi të Shkodrës. Në këto misione, ku shërbejnë tetë Motra rregulltare Salvatoriane, merren me veprimtari baritore –ungjillëzuese dhe me edukimin e fëmijëve. 

Eprorja e re e Provincës Italiane të Motrave Salvatoriane, motër Terezina Jaku, 36 vjeçare, me prejardhje nga Dioqeza e Shkodrës, fshati Sheldi, qysh në moshën 25 vjeçare hyri në jetën rregulltare. Kushtet e përjetshme të jetës rregulltare i bëri në viti 2007. U diplomua në Teologji në vitin 2010,në fakultetin filozofiko-teologjik pranë Seminarit ndërdioqezan të Anagni Fiuggi, në Itali. Ne vitin 2010 u emërua përgjegjëse për formimin e kandidateve të jetës rregulltare, pra mësuese e novicjeve dhe e postulanteve. Në vitin 2012 u zgjodh Këshilltare e bashkëpunëtore e provincës rregulltare.

Motër Terezina Jaku jep mësim në Seminarin ndërdioçezan në Shkodër për studentët që janë në fazën parapërgatitore (propedeutike) dhe për novicjet e Kongregatave të ndryshme rregulltare. Njdek nga afër dhe është shumë aktive në misionin e fshatit Sheldi, posaçërisht në punën me të rinjtë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.