2018-05-08 12:06:00

Takimi i Barit dhe e ardhmja e të krishterëve të Lindjes


Papa organizon një takim, në të cilin i fton të gjithë Patriarkët e Lindjes dhe krerët e Kishave lindore, që e jetuan shkëputjen e bashkimit me Romën. Shpresa për të ecur drejt unitetit, ushqehet nga shqetësimi për bashkësitë e vuajtura të Lindjes së Mesme.

“Dita e reflektimit dhe e lutjes”, në të cilën,  më 7 korrikun e ardhshën do të takohen, në Bari, Papa Françesku me bashkësitë e krishtera të përhapura në viset e Lindjes së Mesme, u njoftua me tone të përkora e pa famfara. E pra ky takim është i pashembullt në historinë e ekumenizmit. Për herë të parë Ipeshkvi i Romës, dhe “Patriark i Lindjes”, deri më  2006, kur ky titull i lashtë, që i jepej Papës, u hoq nga Benedikti XVI - thërret një takim  lutjeje, në të cilin ftohen idealisht edhe të gjithë Patrikët dhe krerët e Kishave të Lindjes që, në kohë të ndryshme, duke u nisur nga Koncili I Efezit (431 pas Krishtit), jetuan prishjen e bashkimit të plotë me Kishën e Romës.

Në dekadat e fundit - duke nisur nga Dita e lutjes për paqe, kremtuar në Asizi më 27 tetor 1986 nga Papa Wojtyla - kanë qenë të shumta takimet ndërfetare mbledhur sipas dëshirës së Papëve, për të kërkuar, së bashku me përfaqësuesit e krishterë dhe liderët e feve të ndryshme, dhuratën e paqes. Vetë Gjon Pali II pati thirrur, më 24 janar 2002, në Asizi, një Ditë lutjeje për paqen, pas atentatit të Kullave Binjake të New Yorkut, ndërsa Benedikti XVI mori pjesë në Ditën e reflektimit, të dialogut e lutjes për paqen, thirrur në Asizi, për të kremtuar 25-vjetorin e takimit historik wojtylian të 1986-tës e edhe në takime të tjera të kësaj natyre. Në krahasim me gjithë këto, dita e organizuar nga Papa Françesku në Bari, ka një fizionomi të veten:  thirrja u drejtohet posaçërisht krerëve të Kishave dhe të bashkësive të krishtera të zonës së Lindjes së Mesme. Nëse i rikujtojmë takimet e mëparshme të kësaj natyre, do të vërejmë se ai, që i ngjet më shumë, është takimi i marsit 1991, pak ditë pas përfundimit të Luftës I të Gjirit, që i mblodhi në Romë, rreth Gjon Palit II, përfaqësuesit e episkopateve të vendeve kryesore, të përfshira në këtë konflikt. Por në këtë rast, në takim morën pjesë vetëm Patriarkët dhe ipeshkvijtë e Kishave katolike të Lindjes, së bashku me ipeshkvijtë e kardinajtë katolikë perëndimorë e prelatë të tjerë të Kuries Romake.    








All the contents on this site are copyrighted ©.