2018-05-07 13:23:00

Parathënia e Papës për librin e Ratzinger: vartësia nga Zoti është liria e vërtetë!


Papa Françesku shkroi parathënien e vëllimit II të teksteve, zgjedhur nga Joseph Ratzinger - Benedikti XVI, me temë “feja e politika”. I titulluar “Të çlirohet liria - Feja e politika në mijëvjeçarin e  tretë”,  vëllimi  u botua nga Cantagalli.

Një lloj busulle, “për të kuptuar të sotmen tonë e për të gjetur orientimin e duhur për të ardhmen”, por edhe “burim i mirëfilltë frymëzimi për një veprimtari politike që, duke vënë familjen, solidaritetin dhe drejtësinë në qendër të vëmendjes e të programimit të saj, të mund ta shikojë ardhmërinë me largpamësi të vërtetë”. Kështu shkruan Papa Françesku për tekstet e Joseph Ratzinger, kushtuar temës “feja dhe politika”. Vëllimi do të paraqitet në Romë, më 11 maj, në praninë e Presidentes së Senatit, Maria Elisabeta Alberti Casellati; kryeipeshkvit Georg Gänswein, Prefekt i Shtëpisë Papnore dhe sekretar i posaçëm i Papës së nderit; Presidentit të Parlamentit Evropian, Antonio Tajani dhe kryeipeshkvit të Trieshtes, imzot Giampaolo Crepaldi.

Liria e bindjes ndaj Zotit

Liria e bindjes ndaj Zotit. Kjo temë ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes të Papës së nderit - shkruan Françesku - e kjo e shtyu që në të ritë e tij të reflektojë për kufijtë e bindjes ndaj shtetit, në favor të bindjes ndaj Zotit. Pa harruar se Ratzinger e provoi drejtpërdrejt nazizmin i cili, “me mashtrimin e tij totalitar”,  që synonte t’i mbyllte të gjitha shtigjet e mundësive dhe të shpresave njerëzore, u bë djallëzor e tiranik.

Vëmendja kryesore për të varfërit

Njëkohësisht Benedikti XVI e vë në diskutim edhe pretekstin totalitar të Shtetit marksist dhe të ideologjisë, mbi të cilën themelohet. Kontrasti i vërtetë ndërmjet marksismit e kristianizmit, për Papën Ratzinger, “nuk  qëndron  tek vëmendja e  të krishterëve ndaj të varfërve” - nënvizon Françesku - sepse veç pranisë reale të Jezusit në Kishë e në sakrament, ekziston një prani tjetër reale e Jezusit në më të vegjlit, më të shtypurit e kësaj bote, në më të fundmit, “ndër të cilët Ai dëshiron të gjindet mes nesh”. Kontrasti i vërtetë, rrjedh nga burimi i shëlbimit të njeriut”.

E shëlbimi i vërtetë i njeriut gjindet në “vartësinë e plotë nga dashuria e Zotit, gjë që është edhe liria e vërtetë”.

Rreziku i “kolonizimit” të ndërgjegjeve

Sot, ndërkaq, bota synon të shikojë vetëm dashurinë e njeriut për vetveten, që çon në “kolonizimin” e ndërgjegjeve, mohon ndryshimet ndërmjet mashkullit e femrës, planifikon racionalisht prodhimin e qenieve njerëzore, duke arritur deri atje, sa “ta quajë logjike dhe të ligjshme ta zhdukë atë, që nuk konsiderohet më i krijuar, i zënë e i lindur, por i bërë nga ne vetë”. Këto janë, në dukje, të drejtat  njerëzore - nënvizon Papa - të gjitha me një synim të vetëm: vetëshkatërrimin e njeriut, ngaqë mohojnë se njeriu është krijesë e Zotit, i cili ia ruan e ia mbron lirinë dhe dinjitetin.

Të mbrohet familja, për të mirën e botës e të Kishës

Të mbrohet njeriu “kundër reduktimeve ideologjike”, do të thotë të vendoset bindja e njeriut ndaj Zotit si gur kufiri për bindjen ndaj shtetit. E, në një epokë ndryshimesh, si kjo bashkëkohorja - përfundon Papa Françesku - kjo do të thotë “ta mbrosh familjen”, sepse ardhmëria e njerëzimit kalon përmes saj dhe e mira e saj është vendimtare për ardhmërinë e botës e të Kishës”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.