2018-05-07 14:58:00

Papa: impenjim i përbashkët i të krishterëve kundër skllavërive moderne


Kundër formave moderne të skllavërisë, duhet “t’ia çjerrim maskën indiferencës, që mbulon fatin e viktimave, duke krijuar për to, "me një edukim cilësor”, “mundësi të reja zhvillimi përmes punës”. Këtë thekson Papa Françesku në videomesazhin për Forumin II ndërkombëtar, kushtuar reflektimit mbi format moderne të skllavërisë, që mbahet në Buenos Ajres të Argjentinës. I organizuar nga kryedioqeza ortodokse, Forumi ka si titull “Probleme të vjetra, në botën e re”. Kishat, nënvizon Papa Françesku në videomesazh, janë të thirrura të impenjohen bashkërisht në sfidën “e ndërtimit të një shoqërie të përtërirë”.

Papa vë në dukje se sot, në botë, skllevërit e rinj janë më se 40 milionë e shfrytëzohen në trafikun e njerëzve, në punën e të vegjëlve, në trafikun seksual, në punën e papaguar të grave, që detyrohen të shërbejnë nëpër shtëpi e në shumë forma të tjera. Para kësaj tragjedie, vëren Françesku, askush s’mund t’i lajë duart, nëse nuk dëshiron të jetë bashkëfajtor në këtë krim kundër njerëzimit.

“Detyra e parë, që na imponohet – thekson Ati i Shenjtë –  është të mendojmë një strategji, që të na njohë më mirë me këtë temë, duke e grisur velin e indiferencës. At vel, i cili duket se e mbulon fatin e kësaj pjese të njerëzimit të vuajtur… Ka nga ata që, të përfshirë drejtpërdrejt në organizata kriminale, nuk duan të flitet për këtë, thjesht sepse përfitojnë shumë nga format e reja të skllavërisë. Ka edhe nga ata që, megjithëse e njohin problemin, nuk duan të flasin, sepse ndodhen aty ku përfundon ‘zinxhiri i konsumit’, si konsumatorë të ‘shërbimeve’, që ofrojnë burrat, gratë e fëmijët, të cilët janë kthyer në skllevër. Nuk mund të bëjmë sikur s’i shohim: të gjithë jemi të thirrur t'i japim fund çdo forme të hipokrizisë, duke i bërë ballë realitetit, që na tregon se jemi pjesë e problemit”.

Papa kërkon së pari, fuqizimin e edukimit e të arsimimit për të dalë nga situata, si edhe një bashkëpunim më të madh të gjithë të krishterëve. Kujtojmë se në edicionin e tij të vitit 2017, Forumi u përurua nga Patriarku Ekumenik, Bartolomeu I dhe nga kryeipeshkvi i Kanterbërit, Uelbi.








All the contents on this site are copyrighted ©.