2018-05-07 14:21:00

Jeta rregulltare: kard. Braz de Aviz, të vijojmë të ecim së bashku!


“Duhet të vijojmë të ecim së bashku, në sinodalitet, sepse Shpirti Shenjt  flet atje, ku është harmonia e jetës vëllazërore”. Këtë theksoi kardinali Joao Braz de Aviz, prefekt i Kongregatës për Institutet e jetës rregulltare dhe Shoqëritë e jetës apostolike (Civcsva), duke mbyllur, dje, punimet e takimit ndërkombëtar “Consecratio et Consecratio per evangelica consilia”.

“Ishte një reflektim, i organizuar nga dikastetri i Selisë së Shenjtë, që u mbajt këto ditë e që duhet të vijojë të zhvillohet, para së gjithash, në këndvështrimin teologjik, duke u nisur nga Koncili II i Vatikanit dhe nga Magjisteri, në bashkëpunim edhe me dikasteret e tjera”, pohoi, më pas, imzot José Rodríguez Carballo, sekretar i Civcsva, në fjalën e mbylljes së punimeve: “Kushtimi i jetës Zotit është realitet në zhvillim, in itinere… Është identitet në marrëdhënie, sepse karizma ka një aspekt relacional”. Mund të jemi agimi i Kishës - siç na tha dje Papa - nëse ecim së bashku në unitet me Kishën e në bashkim me botën - përfundoi imzot Carballo.

Kujtojmë se këto ditë, rregulltarë e rregulltare të mbarë botës u takuan  për të shkëmbyer mendimet dhe përvojën lidhur me temat e kushtimit të jetës, karizmës, vëllazërimit e misionit. “Përvoja, që po jetoj këto ditë - pohoi Kris Van Damme, rregulltar i Familjes shpirtërore “Vepra” - është se po shikoj e po takoj një mori karizmash e mënyrash të jetuari e po e kuptoj më thellë ç’do të thotë t’ia kushtosh gjithë jetën Zotit. Pavarësisht nga larmitë, shikoj unitetin për dashuri të Krishtit dhe impenjimin për Kishën si dhe përvojën e thellë të Shpirtit Shenjt”.

I bën jehonë Jeanne Marie Cooper, 33 vjeçe, rregulltare e Ordo Virginum që prej dhjetë vjetësh, që ushtron profesionin e gjykatëses dhe të  koordinatores së gjykatës martesore në dioqezën e Winona-Rochester: “Në këtë takim e ndjeva veten të inkurajuar për t’ia hapur dyert e Kongregatës formave të ndryshme të jetës së kushtuar, siç është Ordo Virginum, realiteteve të reja të jetës së Kishës. Ishte burim gëzimi dhe mundësia që m’u krijua për të takuar virgjëra të tjera të kushtuara nga mbarë bota e për të zbuluar sa e ngjashme është përvoja jonë personale, pavarësisht nga kontekstet e ndryshme kulturore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.