2018-05-04 07:00:00

Zoja e Bekuar, në muajin maj: Kisha ia beson Nënës së Hyjit nevojat e njerëzimit


Maji, muaj i Marisë, gjatë të cilit Kisha ia beson Nënës së Hyjit nevojat e njerëzimit të mbarë botës, posaçrisht paqen. Sipas traditës së lashtë popullore, muaji i majit i kushtohet Marisë Virgjër. E Kisha ia beson Asaj, Nënës Qiellore nevojat e njerëzimit të mbarë botës. Maria është Nënë e Mësuese e fesë dhe e dashurisë për të krishterët e të gjitha kohërave. Besimtarët katolikë organizojnë kremtime gjatë muajit marian duke ia besuar veten e të gjithë ata që kanë për zemër.

Po si lind devocioni për Zojën e Bekuar?

Devocioni për Zojën e Bekuar lind nga vetë historia e shëlbimit, është vepër e vetë Zotit. Shën Luka ungjilltar i paraprin tregimit mbi Lajmërimin e Zojës me disa fjalë, që kanë një kuptim jashtëzakonisht vendimtar. Thotë Ungjilltari: “Engjëlli Gabriel qe dërguar nga Zoti në një qytet të Galilesë, të quajtur Nazaret, tek një virgjër me emrin Mari”. Kjo shtesë ka rëndësi vendimtare: na tregon se është Zoti ai që e dërgoi Engjëllin. Prej këndej, edhe se është Zoti ai që e zgjodhi Marinë. Ishte Zoti ai që trokiste te porta e zemrës së Marisë; kjo portë u hap dy kanatash përpara Hyjit e që atë ças Maria u bë bashkëpunëtorja më e madhe në planin e shëlbimit. Maria është vazhdimisht pranë Jezusit, nuk ndahet kurrë nga ai. Në se ndahet Biri nga Nëna ose Nëna nga Biri, bëhet diçka që është kundër zgjedhjes së Zotit. Prandaj themi se Maria na merr për dore e na çon te Krishti.

E çfarë roli ka Maria në historinë e shëlbimit? Çka thotë për këtë doktrina katolike?

Thotë gjënë e mrekullueshme, që e pohojmë në Besojmë: Jezusi, Shëlbuesi e Biri i Hyjit, lindi nga Zoja e Bekuar për shëlbimin tonë. Në shekujt e parë të Kishës pati diskutime të vazhdueshme, pas të cilave Koncili i Efezit e quajti ‘Theotokos’, Nënë e Zotit. E kjo e vërtetë preket ende thellë kur shtegtohet nëpër Evropë, e shikojmë mbishkrimin: “Maria, Nëna e Hyjit”. Atëherë gjëja kryesore është se nuk mund ta ndajmë dot Birin nga Nëna. E pikërisht me këtë bindje feje, Maria u quajt Zojë e Papërlyer, sepse nuk mund të kishte asnjë njollë mëkati. Më pas, edhe e Ngjitur në qiell, dogma e fundit e shpallur nga Piu XII - që pohon se Maria u ngjit në qiell me korp e me shpirt. Pse? Sepse nuk mund të mbetej e ndarë nga qielli.

Devocioni apo përshpirtëria ndaj Zojës së Bekuar është shumë i përhapur në mbarë botën, edhe ndër shqiptarë, por mund të ndodhë që të mos përkojë me besimin në Zotin, me fenë e jetuar çdo ditë e në çdo rrethanë.

Si mund ta jetojmë këtë përshpirtëri e nderim ndaj Virgjërës Mari me fe të vërtetë në Krishtin?

Lidhur me këtë, Koncili II i Vatikanit, në Kushtetutën baritore ‘Gaudium et Spes’, thekson me ngulm se është e nevojshme të kapërcehet hendeku ndërmjet besimit e zbatimit apo mishërimit të tij në jetë. Ne kemi shumë nevojë ta ushqejmë fenë në Krishtin Zot, që devocioni të jetë përherë i vërtetë e Maria të mbetet gjithnjë Nëna që na çon te Biri, te Jezusi. Maria pra për ne të krishterët është shkollë feje në Zotin, është shembull e shërbimit bujar ndaj vëllezërve, është shenjë shprese për të gjithë ata që synojnë ta takojnë Zotin në realitetin e përditshëm të jetës.

Po çka do të thotë të jetosh fenë në Zotin duke ia besuar vetveten Zojës ë Bekuar?

Maria – na thotë Ungjilli, na e thotë Elizabeta e ndriçuar nga Shpirti Shenjt - është besimtare, besimtarja e parë e përkryer. Prandaj Kisha na ftoi gjatë këtij muaji maj të vihemi në shkollën e fesë, të shërbimit e të dashurisë, të vijojmë udhën në gjurmët e Marisë për të takuar Jezu Krishtin.

Rruzarja ime

Një kryq e shumë rruaza të zeza,

më rrëshqasin nëpër gishta.

I ledhatoj një nga një,

e zemra shkrihet në lutje.

Një kryq e shumë kokërrza të zeza,

flasin për jetën e Nënës,

e atë të Birit të saj Hyjnor,

bërë gur në dhimbje,

bërë një në dashuri.

Një kryq e shumë rruaza,

që i dua pranë

në orën e fundit,

në gishtat e ngrirë,

se dua pas vdekjes

të gjej përsëri jetën.

Një kryq e ca rruaza

lidhen gërshetë me gishtat e mi:

e lutem për jetën

lutem për njerëzit

për paqen,

e lutem për lumturinë e të gjithëve.

Çdo rruazë – një dëshirë

Një urim – çdo rruazë.

Ndjesitë e mia rrëshqasin

nëpër kokrrizat

E unë e ndjej si lartohem

atje ku rri Zoja,

atje ku më flet Zoti!








All the contents on this site are copyrighted ©.