2018-05-04 15:13:00

Papa rregulltarëve: të jeni frytdhënës falë lutjes, varfërisë e duresës: si Nënë Tereza


Në Sallën e Palit VI Papa Françesku kujtoi tri shtyllat e jetës rregulltare. Largimi nga pasuritë, është hapi i parë për të ndenjur larg “mendësisë së botës në jetën rregulltare”. Ku mungon durimi, lindin ndeshje të brendshme, karrierizma, grupazhe”.

Shpirti Shenjt “nuk të lë kurrë rehat, sepse nuk lodhet kurrë së qeni krijues” – kujtoi Papa me buzë në gaz, në Sallën e Palit VI, duke iu drejtuar 600 pjesëmarrësve të Takimit ndërkombëtar, organizuar nga Kongregata për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, që vijon në Romë, “Është krijues”, “kureshtar”, “autor larmish”, por, njëkohësisht, edhe “krijues uniteti”, shpjegoi. “Ai e bën unitetin e Korpit të Krishtit, unitetin e kushtimit”.

Shtyllat e jetës rregulltare 

Papa, gjatë fjalimit shqiptuar lirisht, pa tekst zyrtar, iu lut pikërisht Shpirtit Shenjt,  si prijës,  t’i ndihmojë rregulltarët të gjejnë “kriteret e vërteta”, për të mos e humbur udhën në këtë botë, në mjegullën e mendësisë së saj, në provokimet e në frymën e luftës së saj. Kritere që Papa i kujtoi edhe në Shën Giovanni Rotondo, më 17 marsin e kaluar e që janë lutja, varfëria e durimi: tri shtyllat e jetës rregulltare.

Kthim i përhershëm tek takimi i parë me Zotin

Lutuni - i porositi rregulltarët Papa - e kthehuni gjithnjë tek thirrja e parë, tek takimi i parë me Zotin, që e fton rregulltarin të lërë gjithçka - familje, kënaqësi, karierrë, për t’i qëndruar pranë. “Çdo lutje do të thotë kthim tek ky takim”, “tek buzëqeshja e hapave të para”.

Lutja, në jetën rregulltare është ajër, që e bën thirrjen të marrë frymë, e rinon thirrjen. Pa këtë ajër, nuk mund të jemi rregulltarë të mirë. Mund të jemi, ndoshta, njerëz të mirë, të krishterë katolikë, që punojnë në një mori veprash kishtare, po shugurimin ti duhet ta përtërish vazhdimisht atje, në lutje, në takimin me Zotin.

Shembulli i Nënë Terezës

Nuk ka pikë rëndësie sa e si janë angazhimet e problemet:  duhet gjetur gjithnjë koha për lutjen - ngulmoi Papa - duke kujtuar shembullin e Nënë Terezës, që s’pushonte një minut gjithë ditën e lume, “por që gjithë ai angazhim, nuk ia  rrëmbente kurrë dy orët e lutjes para të Shenjtnueshmit Sakrament”.

Tri shkallët, që të largojnë nga kushtimi

Varfëria, - thoshte Shën Injaci - është “nënë”, mur, mbi të cilin mbështetet jeta rregulltare: të mbron nga fryma e mendësisë së botës. Shpirti i varfërisë nuk mund të vihet në diskutim - sepse - kujtoi Papa - lind rreziku të kalohet nga “kushtimi rregulltar”, në kushtimin ndaj botës. Është rrugë me tri këmbë shkalle.

E para: paratë, domethënë mungesa e varfërisë. E dyta: kotësia, që në fund të fundit shndërrohet në mburrje për sende që nuk kanë pikën e kuptimit. E treta: mendjemadhësia, krenaria. E prej saj lindin të gjitha veset. Por shkalla e parë mbetet kapja pas pasurive, pas parave. Po të ruhemi nga kjo, të tjerat e kanë vështirë të vijnë. E përsëris, nga pasuritë, jo vetëm nga paratë.

Durim, si Jezusi

Me fjalën durim - shpjegoi Françesku - kuptojmë atë, që pati Jezusi, për të arritur deri në fund të fundit të jetës së Tij, kushti, me të cilin, pas darkës së mbrame, shkoi në Kopshtin e Ullinjve. Ku mungon durimi, mund të kuptohen luftërat e brendshme në kongregatë, karrierizmat në kapitujt e përgjithshëm e - vijoi Françesku - disa vendime të marra përballë problemeve  të jetës së bashkësisë, siç është, për shembull, humbja e thirrjeve. Në përfundim Papa u uroi të gjithëve fekonditet shpirtëror, duke i porositur të  mos i harrojnë tri   fjalë: “Lutje, varfëri, durim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.