2018-05-04 12:29:00

Papa, ipeshkvijve gjermanë: vendime të përbashkëta për kungimin në martesat e përziera


Dje, u takuan në Vatikan një grup kardinajsh e ipeshkvijsh gjermanë me disa krerë dikasteresh e funksionarë të Kuries Romake për të diskutuar mbi dhënien e Eukaristisë për bashkëshortët jo katolikë në martesat e përziera.

         Gjatë asamblesë së fundit të përgjithshme, mbajtur nga 19 deri më 22 shkurt 2018, Konferenca Ipeshkvnore Gjermane diskutoi mbi Doracakun baritor me titull “Të ecim me Krishtin, në gjurmët e bashkimit. Martesat e përziera dhe pjesëmarrja e përbashkët në Eukaristi”. Më se tre të katërtat e anëtarëve e miratuan tekstin, por një numër jo i vogël barinjsh të Kishës, ndërmjet të cilëve edhe shtatë ipeshkvij, nuk dhanë konsensusin e tyre, për arsye të ndryshme. Shtatë ipeshkvijtë iu drejtuan Kongregatës për Doktrinën e Fesë, Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve dhe Këshillit Papnor për Tekstet Legjislative. Sipas dëshirës së Papës Françesku, dje u mbajt një takim ndërmjet disa ipeshkvijve dhe përgjegjësve të dikastereve të Selisë së Shenjtë.

Papa Françesku e vlerëson impenjimin ekumenik të ipeshkvijve gjermanë

         Gjatë bisedës, prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kryeipeshkvi Luis Francisco Ladaria Ferrer, nënvizoi se Papa Françesku e vlerëson impenjimin ekumenik të ipeshkvijve gjermanë dhe u kërkon atyre të gjejnë një rrugë, mundësisht unanime për kungimin e bashkëshortëve, në rastin e martesave të përziera. U paraqitën disa këndvështrime: për shembull, lidhja e çështjes së fesë me kujdesin baritor, rëndësia e saj për Kishën universale dhe përmasa e saj juridike. Kryeipeshkvi Ladaria do të informojë Atin e Shenjtë rreth përmbajtjes së bisedës. Takimi u zhvillua në një atmosferë të përzemërt e vëllazërore.

Pjesëmarrësit në bisedë

         Në bisedën e djeshme morën pjesë: për ipeshkvijtë gjermanë, kard. Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Mynihut dhe i Frizingës e kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane; kard. Rainer Maria Woelki, kryeipeshkëv i Këlnit; imzot Felix Genn, ipeshkëv i Mynsterit; imzot Karl-Heinz Wiesemann, ipeshkëv i Spejerit e kryetar i Komisionit Doktrinor të Konferencës Ipeshkvnore Gjermane; imzot Rudolf Voderholzer, ipeshkëv i Regensburgut dhe zv. Kryetar i Komisionit Doktrinor të Konferencës Ipeshkvnore Gjermane; imzot Gerhard Feige, ipeshkëv i Magdeburgut dhe kryetar i Komisionit për Ekumenizmin në Konferencën Ipeshkvnore Gjermane; atë Hans Langendörfer, Sekretar i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane. Nga ana e Selisë së Shenjtë, ishin të pranishëm: kryeipeshkvi Luis F. Ladaria, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë; kard. Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve; imzot Markus Graulich, zv.Sekretar i Këshillit Papnor për Tekstet Legjislative; atë Hermann Geissler, kryetar zyre pranë Kongregatës për Doktrinën e Fesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.