2018-05-04 16:07:00

Gjermani: në Bavari, urdhër për varjen e kryqit në të gjitha ndërtesat publike. Kundërshtimi i ipeshkvijve


Ka krijuar përçarje, shqetësim e kundërvënie, vendimi i marrë nga qeveria bavareze, e udhëhequr nga Markus Söder (Csu), për varjen e detyrueshme të kryqit në të gjitha ndërtesat  e Bavarisë. “Nëse kryqi shikohet si simbol kulturor, e humbet kuptimin. Kryqi është shenjë proteste kundër dhunës, padrejtësisë, mëkatit e vdekjes, e jo shenjë, që u kundërvihet njerëzve të tjerë” - kështu shprehet kardinali Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Munihut të Bavarisë dhe kryetar i ipeshkvijve gjermanë.

Dje, në një intervistë dhënë  Süddeutschen Zeitung (Sz), prelati i lartë mbajti qëndrim kritik, duke u shprehur kundër këtij vendimi. E ky qëndrim, i gjykuar si “nismë populistike me frymë fushate elektorale”, po mbahet në të katër anët. Kujtojmë se Bavaria, pas gjashtë muajsh, do të thirret në kutitë e votimit. “Pyetja, që duhet bërë në këto çaste - kujton akoma kardinali Reinhard Marx - është: “Ç’do të thotë të jetosh në një tokë të krishterë? E kjo, që përgjigjja të ndikojë për hapjen e zemrave e të portave,  për t’i mirëpritur të gjithë!”.

“Kryqi nuk është shenjë identitare e një rajoni e as e një shteti - kujton edhe kryeipeshkvi i Bambergut, imzot Ludwig Schik - por ftesë që të mësohemi të jetojmë me solidaritet e dashuri”.

Duke e komunikuar lajmin e marrjes së vendimit për varjen e kryqit, Markus Söder pohoi: “Është njohje e qartë e identitetit bavarez dhe e vlerave të krishtera”. Çështje interpretimi, pra. Gjë që nuk mund ta vlerësojë e as ta zhvlerësojë Kryqin e vlerat e tij të padiskutueshme. Kryqi nuk duhet e as nuk mund të politizohet kurrë!








All the contents on this site are copyrighted ©.