2018-05-03 12:30:00

Urdhëri i Maltës: vëllau Giacomo Dalla Torre zgjidhet Mjeshtër i Madh


Vëllau Giacomo Dalla Torre i Tempullit të Sanguinetto u zgjodh i 80-ti Mjeshtër i Madh i Urdhërit Sovran të Maltës. Këshilli i Punëve të Shtetit, organizëm zgjedhës, i përbërë nga 54 anëtarë, përfaqësues të të gjithë Urdhërit, u mblodh dje në Romë, në Vilën Magistrale, seli institucionale e Urdhërit të Maltës.

 I zgjedhur më 29 prill në krye të Urdhërit të Maltës, vëllau Giacomo Dalla Torre nisi tani detyrën e Mjeshtrit të Madh për gjithë jetën. Sipas njoftimit të zyrës së komunikimit të Urdhërit Sovran të Maltës, “Papa Françesku u informua përmes një letre, për rezultatet e votimeve”. Më pas,  zgjedhja iu komunikua të gjitha Priorateve të Mëdha, Nën Priorateve  dhe Shoqatave kombëtare të Urdhërit, përfaqësive të tij diplomatike në botë dhe 107 shteteve, ndërmjet të cilave, edhe Shqipëria, me të cilat Urdhëri i Maltës ka marrëdhënie diplomatike. I posazgjedhuri bëri betimin  para delegatit të posaçëm të Papës pranë Urdhërit Sovran të Maltës, kryeipeshkvit Angelo Becciu dhe anëtarëve të Këshillit për Punët e Shtetit sot paradite, në kishën e Shën Marisë në Aventin.

Prania e Urdhërit nëpër botë

Aktualisht i pranishëm në 120 vende të botës me më se 2.000 projekte  në fushën mjekësore-shoqërore, Urdhëri i Maltës numëron 120.000 vullnetarë e anëtarë të personelit mjekësor. Angazhimi i parë zyrtar i Mjeshtrit të Madh do të jetë të kryesojë shtegtimin e 60-të ndërkombëtar të Urdhërit të Maltës në Lurdë, që do të nisë nesër, për të përfunduar më 8 majin e ardhshëm. Çdo vit më se 7.000 anëtarë e vullnetarë nga mbarë bota marrin pjesë në shtegtim, duke u kujdesur për rreth 1.500 shtegtarë të sëmurë e të gjymtuar. Sipas kushtetutës së Urdhërit, Mjeshtri i Madh zgjidhet për gjithë jetën. Si Sovran e Epror rregulltar, duhet të kujdeset për zhvillimin e veprimtarive të Urdhërit dhe të jetë shembull për të gjithë anëtarët në zbatimin e  rregullës. 








All the contents on this site are copyrighted ©.