2018-05-03 13:21:00

Pullat e reja të Vatikanit


Përvjetore të rëndësishme për Kishën dhe kontribute për ngjarjet aktuale. Janë këto, rastet, që nxitën realizimin e pullave të reja nga Zyra Filatelike dhe Numizmatike e Vatikanit.

Evropa 2018 – Urat

Ndër to, dy pullat e realizuara nga artisti italian Stefano Morri, për temën e zgjedhur nga PostEurop - shoqata e postave evropiane - që këtë vit është “Urat”. Në njërën nga pullat vatikanase pasqyrohet Shën Pjetri – pajtor i ndërtuesve të urave – ndërsa në tjetrën, shën Gjon Nepomuçeni – martir i shekullit XIV, që e hodhën në lumin Moldava. Në sfond, dy ura: ajo e Shën Engjëllit në Romë dhe ajo e Karlit mbi lumin Moldava, në Pragë.

Pullat e tjera

Një seri me katër pulla i kushtohet Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore. Në të pasqyrohen shtatore të Muzeve të Vatikanit. Një pullë tjetër kujton 600-vjetorin e projektimit të kupolës së Bruneleskit në Firence e, akoma: 1150-vjetori i njohjes së sllavishtes së lashtë si gjuhë liturgjike, përkrah hebraishtes, greqishtes dhe latinishtes, si edhe 25-vjetori i Fondacionit Centesimus Annus Pro Pontifice. Të pasqyruara në këto pulla të reja, vepra me autorë të mirënjohur në historinë e artit, si Gian Lorenzo Bernini, Antonio Canova e Domenico Ghirlandaio, por edhe shtatore të periudhës pas-heleniste e kopje mozaikësh të famshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.