2018-05-03 18:38:00

Ipeshkvijtë e Tailandës në vizitë ad Limina


U fol për shpresa të mëdha, sot paradite, gjatë takimit të Papës Françesku me prelatët e Konferencës Ipeshkvnore të Tailandës, në vizitë ad Limina. Në vendin aziatik, të krishterët përfaqësojnë më pak se 1% të popullsisë (më se 67 milionë  banorë). Kisha katolike luan një rol të rëndësishëm në fushën e arsimit, përmes një rrjeti prej 350 shkollash. 90% e më se 150.000 nxënësve të këtyre instituteteve janë budistë.

Marrëdhënie të mira ndërmjet katolikëve dhe budistëve

Kryetari i Konferencës ipeshkvnore tailandeze, imzot Louis Chamniern Santisukniram, kryeipeshkëv i Thare e Nonseng, nënvizon se marrëdhëniet me budistët janë të mira. Dialogu ndërfetar - shpjegon prelati - ka rëndësi të veçantë në këtë vend. Ndërmjet plagëve të hapura të Tailandës, kryeipeshkvi kujton dramat e lidhura me drogën, shekullarizimin dhe shpërbërjen e familjeve.

Plaga e shekullarizimit dhe e drogës

Në vend ndjehet fort shekullarizimi. Nga kjo plagë, që ka prekur qëkur Evropën, nuk ka shpëtuar as Azia, ku paraja vijon të vihet në vendin e parë.  Vijon të hapë plagë të reja edhe përdorimi i drogës, pasojë e së cilës janë një mori fatkeqësish të tjera. E, së fundi, prelati kujton një plagë tjetër të rëndë - burgjet, që janë aq plot, sa nuk ka më vend për të burgosur të rinj.








All the contents on this site are copyrighted ©.