2018-05-02 11:10:00

Papa lutet për Nënat e “Plaza de Mayo”


Papa Françesku u dërgon një mesazh audio të regjistruar Nënave të “Plaza de Mayo”, që patën denoncuar zhdukjen e bijve të tyre gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë. Rasti është 41-vjetori i themelimit.

         Përshëndetja e Atit të Shenjtë i drejtohet bijës së njërës prej themelueseve të shoqatës, Ana Marìa Careaga, nëna e së cilës, Esther Ballestrino de Careaga, paraguajane, u arrestua nga policia në Argjentinë dhe hyri në radhët e “desaparacidos”, të zhdukurve të diktaturës ushtarake në vitin 1977, së bashku me anëtare të tjera të shoqatës. Mesazhi papnor u transmetua të hënën mbrëma, gjatë programit “Ahora y Sempre” (Tani e Përgjithmonë), drejtuar nga vetë Ana Marìa Careaga për Radio Caput të Buenos Ajresit.

Fjalët e Papës

         “E dashur Ana Maria – pohon Papa Françesku – në këto ditë, kur kujtohet 30 prilli i 1977-ës, përvjetor i themelimit të “Nënave” [të “Plaza de Mayo”], kur nënat u organizuan, më kujtohet shumë mirë jot ëmë, që punoi shumë, që luftoi së bashku me gra të tjera për drejtësinë, sepse kishin humbur fëmijët, ose thjesht, sepse ishin nëna, të cilat, duke parë dramën e bijve të tyre të zhdukur, u bashkuan në luftë edhe për këtë. Jam i sigurt – vijon Ati i Shenjtë – se përveç respektit të gjithë botës, edhe Zoti i ka në zemër. Janë luftëtare, luftuan për drejtësinë e na mësuan rrugën, që duhet të përshkojmë, për të ecur përpara.

         Më gëzon fakti që ti ndjek hapat e nënës e që i bën të njohura për të tjerët në programin tënd radiofonik – i thotë Papa Ana Marìsë. - Prandaj, sot, lutem veçanërisht për Nënat, lutem për ty, lutem për nënën tënde Ester e lutem për të gjithë burrat e gratë vullnetmira, që duan të realizojnë një projekt drejtësie e vëllazërimi së bashku”.








All the contents on this site are copyrighted ©.