2018-05-01 12:00:00

Shpallet i lum në Hungari, don János Brenner


Kisha Katolike ka sot një të Lum më shumë. Është don János Brenner, meshtar dioqezan e martir, që u shpall i lum në Hungari, në meshën e kremtuar nga Prefekti i Kongregatës për Ҫështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato. Kremtimi u mbajt në vendlindjen e të Lumit të ri, Szombathely. Por për jetën e tij, flet vetë kardinali Amato, në mikrofonin tonë:

János Brenner lindi në Szombathely më 27 dhjetor 1931 dhe u martirizua më 15 dhjetor 1957. S’i kishte mbushur akoma 26 vjetët e ishte meshtar që prej dy vjetësh. Në vitin 1948 pati veshur petkun e novicit çisterçens në Zirc. Pas mbylljes së urdhërave fetare nga regjimi komunist, përfundoi studimet në seminarin rajonal të Szombathely-t. U shugurua meshtar më 1955 dhe u bë zv.famullitar me detyrën e katekizmit për fëmijët. Për këtë arsye, u luftua menjëherë nga regjimi, të cilit nuk i pëlqente edukimi i krishterë i vogëlushëve.

Si u martirizua?

Në biografinë e tij ka një shenjë profetike. Kur ishte fëmijë, János-i i vogël pati luajtur pjesën e Shën Tarçizit, vrarë në shekullin III, gjatë persekutimit romak, ndërsa u çonte Eukaristinë të sëmurëve. Martirizimi i don János-it është krejt i ngjashëm. Natën e 14 dhjetorit 1957 u thirr nga një ish-ministranti i tij për t’i çuar sakramentin e fundit të ungjit, që po ndahej nga kjo jetë. Zv.famullitari i ri, me hosten e fshehur në kraharor, u vu menjëherë për udhë. Por ishte kurth. Në atë natë të ftohtë, urrejtja kundër fesë së krishterë shkaktoi një tjetër viktimë. Don János-i u sulmua brutalisht, duke i rënë më se 30 herë me thikë, deri sa vdiq. Trupi i tij u gjet në agimin e 15 dhjetorit 1957, në kufi me fshatin Zsida. Me dorën e majtë mbronte Eukaristinë në kraharor, ashtu si Tarçizi martir. Vrasësit e tij nuk u identifikuan e as nuk u dënuan kurrë.

E pra, Hungaria është vend i qytetëruar, me të kaluar të lavdishme. Si u bë e mundur një barbari e tillë?

  Fatkeqësisht, në ato vite tragjike – që nuk janë dhe aq larg nga ditët e sotme – në Hungari vijonte një persekutim i tmerrshëm komunist kundër katolikëve. Kisha luftohej dhe poshtërohej si në barinjtë e vet, ashtu edhe në besimtarët. Për shembull, më 26 dhjetor 1948, u arrestua kardinali József Mindzenty, i cili u dënua me burgim të përjetshëm. Në verën e vitit 1950 u internuan rreth 2.500 rregulltarë e në muajin e gushtit u mbyll Fakulteti i Teologjisë në Budapest. Regjimi krijoi edhe një lëvizje priftërinjsh gjoja për paqen, me qëllimin për ta ndarë e përçarë klerin.

Në vitin 1956 populli hungarez u rebelua. Ndodhi revolucioni i famshëm, i cili pati pasoja të rënda, apo jo?

Më 23 tetor 1956 shpërtheu revolucioni hungarez në Budapest, por u mbyt menjëherë me gjak, me rreth 10 mijë viktima, shumica studentë e punëtorë. Kemi një dokumentacion, akoma të paplotësuar, për më se 1.500 meshtarë dioqezanë e seminaristë dhe për rreth 500 rregulltarë të burgosur e të dënuar padrejtësisht me vdekje. Disa prej këtyre viktimave janë shpallur të lumë nga Kisha, si për shembull, ipeshkvi ndihmës i Esztergom-it, Zoltán Meszlényi (1892-1956), vdekur në kamp përqëndrimi, si edhe saleziani István Sándor (1914-1953), dënuar me vdekje në një proces farsë.

Cila ishte arsyeja, që i shtyu komunistët ta martirizonin don János-in?

Pavarësisht se regjimi e kishte ndaluar, don Jànos-i i edukonte të rinjtë me jetën e mirë të Ungjillit, i mësonte të respektonin të afërmin, të ndihmonin nevojtarët, të punonin për pajtimin në shoqëri e për harmoninë në familje. E donin të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, për vështrimin pa hile e për karakterin e gëzueshëm e miqësor. Kjo e irritonte partinë në pushtet, që pretendonte monopolin e edukimit ateist e antikristian.

Pra, ishte njeri i mirë e, megjithatë, e vranë…

  Ky është misteri i së keqes, që e ndot historinë, që e korrupton zemrën e njeriut, që e shtrin dorën vëllavrasëse mbi Abelin, që kryqëzon Jezusin. Është egjra, e cila infekton grurin e mirë, por që, një ditë, do të ndahet nga gruri e do të hidhet për t’u djegur në zjarr. Historia dhe feja na mësojnë se harbutëria e regjimeve ateiste e të përgjakshme kalon, duke lënë pas një lumë me kufoma, por edhe një vazhdë turpi e përbuzjeje. Qytetërimi i dashurisë mbetet e fiton, për të përforcuar në zemrat tona ndjenja njerëzore të vërteta, dikuar nga Zoti për gjithë Krijimin: lirinë, të vërtetën, vëllazërimin, respektin dhe paqen.








All the contents on this site are copyrighted ©.