2018-05-01 07:30:00

Muaji i majit me Virgjërën Mari


Fillon muaji i majit e, kur thuhet maj, mendja të shkon menjëherë te Zoja e Bekuar. Maji është muaji që i kushtohet nderimit të Zojës Mari, është koha e një bashkimi më të ngushtë me Nënën e ne të gjithëve, e cila na prin tek Jezu Krishti. Muaji i majit, vetvetiu, i është kushtuar nderimit të Zojës Bekuar, sepse është muaji i bukurisë, muaji i shpërthimit të jetës e asnjë krijesë nuk është më e bukur se Maria; asnjë krijesë nuk i ka kënduar jetës si  Maria. Prandaj muaji i majit është muaj marian.

Kisha katolike muajin maj që posa e kemi filluar ia kushton nderimit të Virgjërës Mari, Nënës së Zotit. E besimtarët katolikë, gjatë këtij muaji, ngarendin tek Nëna e Jezusit dhe asaj ia besojnë jetën e tyre personale e familjare. Maji është kohë lutjeje e bashkimi më të ngushtë me Nënën e ne të gjithëve, e cila na prin tek Jezusi Shpëtimtar. E Kisha na thërret në këtë muaj të lutemi në mënyrë që sipas shembullit të Virgjërës Mari, çdo i krishterë, të jetë përherë i kujdesshëm ndaj shenjave të Zotit që përjeton e has në jetën personale, dhe Fjalën e Zotit ka ketë prijëse jete.

Po cilat janë veçantinë e muajit maj që Kisha ia kushton nderimit të Zojës së Bekuar?

Muaji i maji është muaji i bukurisë; është muaji në cilën shpërthen krijimi, përmes luleve e ke përshtypjen se tërë krijimi vishet me veshjen më të bukur. E mirë pra, veshja më e bukur e njerëzimit është Maria. Besojmë se çasti më i rëndësishëm i muajit maj duhet të jetë ai i rizbulimit të bukurisë së lutjes mariane e posaçërisht i lutjes së Rruzares Shenjte nëpër familje në shtëpi, në gjirin familjar. Mund të themi se dikur Rruzarja e Shenjtë ishte një element i domosdoshëm për jetën e përditshme të familjes së krishterë, sepse ishte gurrë shpirtërore. Duke lutur Rruzaren, besimtarët mbushen përplot me Zotin, deri sa i luten së bashku me Marinë.

Si ta përmirësojmë në këtë muaj lutjen tonë drejtuar Virgjërës Mari?

Mbi të gjitha duke e imituar Marinë Virgjër, duke iu lutur Shenjtorëve. Ti lutësh Shenjtorëve nuk do të thotë thjesht t’i kremtosh, një Shenjtor nuk ka nevojë për kemim: ti lutësh Shenjtorëve, të shkosh tek Shenjtorët, domethënë të pranosh e të njohësh në Shenjtorët, një shembull feje e dashurie.

E në Virgjërën Mari ne njohim në mënyrë të posaçme shembullin, modelin e fesë e të bindjes ndaj Hyjit Atë. Ne duhet ti afrohemi Marisë për të mësuar nga Maria besimin, fenë, për të mësuar nga Maria përvujtërinë, hapjen e zemrës ndaj Zotit. Është kjo një udhë meditimi që zbulojmë duke recituar çdo ditë Besojmën.

Kështu, për ta thënë apo lutur mirë Rruzaren e Shenjtë është e nevojshme që në shtëpitë tona të ndjehet atmosfera e lutjes. Lutja nuk vjen vetvetiu. Në se në shtëpi ndjehet fryma e fesë, është e lehtë të krijohen kushtet e nevojshme për ta lutur me zemër e fe edhe Rruzaren. Para se gjithash duhet që të mblidhen të gjithë së bashku, babai, nëna, bijtë e bijat e në se janë, edhe gjyshi e gjyshja, se pse Rruzarja është e bukur, kur e thotë gjithë familja së bashku, kur lutën të gjithë një zëri. Duam të përmendim edhe faktin se kur lutet Rruzarja ndjehet zëri i popullit të Zotit, familja bëhet një gjë e vetme me të, ndjehet misteri i Jezusit të pranishëm në mes të atyre që janë të mbledhur në emër të Tij.

Në përfundim po kujtojmë se devocioni ndaj Zojës së Bekuar nuk është një shpikje e Kishës. Devocioni për Zojën e Bekuar lind nga vetë historia e shëlbimit, është vepër e vetë Zotit. Shën Luka ungjilltar i paraprin tregimit mbi Lajmërimin e Zojës me disa fjalë, që kanë njè kuptim jashtëzakonisht vendimtar. Thotë Ungjilltari: “Engjëlli Gabriel qe dërguar nga Zoti në një qytet të Galilesë, të quajtur Nazaret, tek një virgjër me emrin Mari”. Kjo shtesë ka rëndësi vendimtare: na tregon se është Zoti ai që e dërgoi Engjëllin.

Prej këndej, edhe se është Zoti ai që e zgjodhi Marinë. Ishte Zoti ai që trokiste te porta e zemrës së Marisë; kjo portë u hap dy kanatash përpara Hyjit e që atë çast Maria u bë bashkëpunëtorja më e madhe në planin e shëlbimit. Maria është vazhdimisht pranë Jezusit, nuk ndahet kurrë nga ai. Në se ndahet Biri nga Nëna ose Nëna nga Biri, bëhet diçka që është kundër zgjedhjes së Zotit. Prandaj themi se Maria na merr për dore e na çon te Krishti.








All the contents on this site are copyrighted ©.