2018-05-01 16:00:00

Fokolarët në Loppiano. 6 mijë të rinj për Genfest Itali


Në prag të vizitës së Papës Françesku, qyteza ndërkombëtare e Fokolarëve në Loppiano të Italisë, u mbush sot me 6 mijë të rinj ardhur nga e gjithë bota, për takimin Genfest Itali, mbi temën “Beyond me” (Përtej meje). Muzikë, teatër, art, histori, përshpirtëri, për të përcjellë një mesazh të vetëm: të bëhen të përgjegjshëm për veten e për botën. Filli, që i lidhi veprimtaritë, ishte “dëshira për të shkuar përtej kufijve personalë, për ta ndryshuar vetveten, shoqërinë e ambientin rrethues”. U propozuan projekte, të cilat të rinjtë i “adoptuan”, për t’i zbatuar kur të kthehen në shtëpitë e tyre.

5 blloqe tematike: boshllëk, tokë, ajër, ujë, zjarr

Programi u nda në 5 blloqe tematike, të cilat përkojnë me 5 ndjenja, paraqitur përmes pesë ngjyrave e pesë elementeve natyrore: boshllëk, tokë, ajër, ujë, zjarr. U dëgjuan dëshmitë e të dëmtuarve nga tërmeti në Amatrice të Italisë, por edhe ato të të rinjve sirianë nga Homsi. Një grup koreografik prej 100 të rinjsh formuan figura të mëdha e të rëndësishme për ta tërhequr publikun, përmes një përvoje sensoriale, në reflektimin mbi shkatërrimet, që sjell lufta dhe tërmeti.

Njerëz me probleme fizike, në gjendje “të shkojnë përtej”

 Në Genfest Itali u paraqit historia e tenorit me famë botërore, Marco Voleri, themelues i “Simptoma Lumturie”; ajo e kampionit paraolimpik të notit në Meksikë, Simone Barlaam; ajo e këngëtares Chiara Beltrame, në art “Cli”, e cila, në këngën “Takë e majë” tregon si mund të shkohet përtej kafazit, ku të mbyll një problem fizik, siç është ai i një balerine, që ka mbetur pa këmbë. I pranishëm, edhe një grup të rinjsh nga Nomadelfia, ku Papa Françesku do të shkojë në të njëjtën ditë me vizitën në Loppiano, më 10 maj.

Genfest-it botëror mbahet në Manila

Të rinjtë u mblodhën në qytezën e fokolarinëve duke filluar nga 28 prilli, për tri ditë reflektimesh e përgatitjeje për festën e 1 majit, e cila është etapa italiane drejt Genfest-it botëror, me titull “Përtej çdo kufiri”, që do të mbahet në Manila nga 6 deri më 8 korrikun e këtij viti.








All the contents on this site are copyrighted ©.