2018-04-30 18:36:00

Papa: të ruhet fafitja e flakës së jetës, edhe në natën e errët


Papa Françesku, duke takuar anëtarët e shoqatës “Një Jetë e Rrallë”, në kërkim të solidaritetit për sëmundjet e rralla, kujtoi se “çdo jetë njerëzore është unike, e papërsëritshme”, dhe  pohoi se preket thellë në shpirt duke parë vullnetin  familjeve për t’i bërë ballë realitetit të dhimbshëm e “për të bërë diçka, që të mund të përmirësohet”.

“Çdo jetë njerëzore është unike, e nëse sëmundja është e rrallë apo tejet e rrallë,  akoma para saj, tejet e rrallë është vetë jeta”. Ua kujtoi Papa Françesku  gjashtëdhjetë prindërve e vullnetarëve të shoqatës “Një jetë e Rrallë”, për kërkimin e solidaritetit lidhur me sëmundjet e rralla. Duke i pritur në audiencë, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, Papa pohoi se u prek thellë e u mbush plot me admirim përballë vullnetit të familjeve të të sëmurëve, të bashkuara për të përballuar këtë realitet kaq të vështirë e për të bërë diçka, që të përmirësohet, ndonëse i kupton mirë dhimbjen, vuajtjet e mundimet.

Shtytja për të bërë diçka në ndihmë të të prekurve nga sëmundjet e rralla

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Gjergjit, kryetar i shoqatës, dhe gruas së tij, Rozita, prindër të pesëmbëdhjetë vjeçarit David, prekur nga një formë e rrallë e encefalopatisë së bashkëlindur, Françesku u kujtoi: “E di se e ndjetë brenda vetes shtytjen që të bëni diçka, për të e për njerëzit e tjerë, të prekur nga ndonjë sëmundje tejet e rrallë, e edhe për familjet e tyre!”.

Vështrimi pozitiv është mrekulli e dashurisë

Edhe nëse realiteti i përditshëm është negativ - vijoi Papa - emri, që i vutë shoqatës “Një Jetë e Rrallë”, e shpreh realitetin e Davidit, por edhe tuajin me të, në mënyrë pozitive, jo negative. “Ky vështrim pozitiv është mrekulli tipike e dashurisë” -  pohoi thellësisht i emocionuar, Papa Françesku:

“Është dashuria, që e bën këtë: di ta shikojë të mirën edhe në situatë të keqe, di ta ruajë fafitjen e flakëzës, edhe në mes të natës së errët”.

Mrekullia e ndarjes së vështirësisë

Dashuria - vijoi Papa - bën edhe një mrekulli tjetër. Të ndihmon t’ia hapësh zemrën të tjerëve, të bën të aftë të ndash jo vetëm të mirat, por edhe të vështirat, të aftë për të ndarë bashkë gjithçka, për të qenë solidarë edhe kur vuan nga ndonjë sëmundje ose ndonjë fatkeqësi tjetër e rëndë,  sfilitëse, në të përditshmen.

Nga kjo sjellje - përfundoi Françesku - lindi edhe “Vrapi i fjalëve të rralla” prej 700 kilometra, që u nis dhjetë ditë më parë nga shtëpia juaj dhe arriti sot në Romë. Vrap për jetën e për shpresën!








All the contents on this site are copyrighted ©.