2018-04-30 13:06:00

Papa në Shën Martë: ruhuni nga kuriozitetet e botës virtuale


Duhet t’i dallojmë kuriozitetet e mira, nga ato të këqiat e t’ia hapim zemrën Shpirtit Shenjt, që na jep siguri. Këto, dy porositë e homelisë së Papës gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke u nisur nga Ungjilli i sotëm. (Gjn 14,21-26). Në faqen ungjillore ndjekim dialogun e Jezusit me dishepujt, të cilin Papa e quan “dialog ndërmjet kuriozitetit e sigurisë”.

Kureshtja e mirë “e moshës së pseve”

Gjatë homelisë, Papa shpjegoi ndryshimin ndërmjet kurioziteteve të mira e atyre të këqia, që nuk mungojnë kurrë në jetën e çdo njeriu. Si shembull për kureshtjet e mira, Papa mori fëmijët në moshën e pseve. Kur pyesin vazhdimisht e për gjithçka e fjala më e përdorur prej tyre është “pse”. E kjo ndodh ngaqë, duke lëshuar shtat, vërejnë se shumë gjëra nuk i dinë. E duan t’i dinë. Prandaj edhe kërkojnë shpjegime. Ky është kuriozitet i mirë, sepse i shërben zhvillimit, e bën fëmijën të fitojë më shumë pavarësi e mund ta quajmë edhe kureshtje kundruese, sepse fëmijët shikojnë, kundrojnë, nuk kuptojnë e pyesin.

Kujdes nga fjalët e tepërta dhe nga bota virtuale

Fjalët e tepërta janë fukarallëk, kureshtje aspak e mirë, “ves i grave e i burrave”, ndonëse ka nga ata, që mendojnë se burrat janë edhe më fjalamanë se gratë”. Kuriozitet i keq është ai, që të shtyn të futësh hundët në jetën e tjetrit - shpjegoi Papa - t’i hysh tjetrit në skutat e jetës, për ta ndotur, duke mësuar gjëra, që nuk ke të drejtë t’i dish. Ky tip kurioziteti krejt i keq, na shoqëron gjithë jetën: është tundim, që e kemi gjithnjë - ishte qortimi i Papës.

Mos kini frikë, por kini mendjen: “Këtë pyetje nuk e bëj, këtë gjë nuk e shikoj, këtë nuk e dua”. E kështu, për një mori kuriozitetesh në botën virtuale, në telefonë e sende të tjera si këto… Fëmijët janë shumë kuriozë e duan të shikojnë gjithçka;  e shkojnë e gjejnë edhe gjëra të këqia. Nuk ka disiplinë në përpjekjen për ta shuar këtë tip kureshtjeje. Duhet t’i ndihmojmë fëmijët dhe të rinjtë të jetojnë në këtë botë, që dëshira për të ditur të mos shndërrohet në dëshirë për të qenë kuriozë aq, sa të bëhen të burgosur të kuriozitetit.

Shpirti Shenjt jep siguri

Kuriozitetet e Apostujve, në Ungjill, janë të mira: duan të dinë ç’do të ndodhë, e Jezusi u përgjigjet duke u dhënë siguri e, “pa i gënjyer kurrë”, u premton atyre Shpirtin Shenjt që - pohoi Papa - do t’u mësonte e do t’u kujtonte gjithçka u pati thënë Zoti.

Sigurinë në jetë na e jep Shpirti Shenjt. Shpirti i Zotit nuk të vjen me një pako plot siguri, e ti i merr. Jo! Në atë masë që, gjatë jetës, ia kërkojmë Shpirtit Shenjt sigurinë, Ai na e jep. E na e jep për atë çast. Përgjigja është për atë çast. Shpirti Shenjt është shok, shok udhe i të krishterit.

E Shpirti Shenjt kujton fjalët e Zotit, duke e ndriçuar dialogun rreth tryezës me Apostujt, dialog ndërmjet kurioziteteve njerëzore e sigurisë, që përfundon pikërisht me përgjigjen e Shpirti Shenjt,  “shok kujtese”, “i cili të prin atje ku është lumturia e patundshme, që nuk lëviz”. Françesku nxiti, prandaj, të shkohet atje, ku është gëzimi i vërtetë me Shpirtin Shenjt, që na ndihmon të mos gabojmë:

“T’i kërkojmë Zotit dy gjëra: e para, të na pastrojë në pranimin e kurioziteteve – sepse ka kuriozitete të mira e jo të mira, e të dimë t’i dallojmë: jo, këtë nuk duhet ta shikoj, këtë nuk duhet ta pyes…. E hiri i dytë: t’ia hapim zemrën Shpirtit Shenjt, sepse është siguria, na jep siguri, si shok udhe, për gjërat që na i mësoi Jezusi, e na kujton gjithçka duhet kujtuar!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.