2018-04-29 10:00:00

Poloni. Në Krakov, Lumnohet Hanna Chrzanowska, besimtare laike, mike e Gjon Palit II.


Infermierja polake, që jetoi ndërmjet viteve 1902-1973, u lumnua dje, 28 prill 2018, në Krakov, nga kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Histori e pasionuar feje e dëshmie guximtare, e saja. E hera e parë në historinë e Kishës Katolike që një grup profesional - Shoqata e infermiereve polake - e kërkon dhe e fiton një nderim kaq të lartë për një nga anëtaret e saj.

Anna Chrzanowska, lindi në Varshavë të Polonisë më 7 tetor 1902, në një familje katoliko-protestante. Gjatë revolucionit rus u kujdes shumë për ushtarët e plagosur dhe e kuptoi se ky ishte misioni, që i kishte caktuar Zoti. Më 1929 nisi studimet për infermiere, të thelluara më tej në Francë, e më pas, edhe në Kryqin e Kuq amerikan. Më 1937 dha ndihmesën e saj  për themelimin e shoqatës së infermiereve katolike polake. Gjatë Luftës II Botërore organizoi shërbimin infermieristik në shtëpi dhe ndihmën, në një mori mënyrash, për refugjatët. Si përfundoi konflikti botëror, u kujdes për një shtëpi mjekimi ku, veç problemeve administrative, kujdesej personalisht për mysafirët, gjithnjë përkrah infermiereve të tjera. E sëmurë nga kanceri, vdiq më 29 prill 1973, në Krakov. 

Çështja e lumnimit të saj, pjesërisht dioqezane, u zhvillua në Krakov, nga 3 nëntori 1997, deri më 2003. “Positio super virtutibus” - postulacioni mbi virtytet, u dorëzua më 2011. Dekreti për virtytet heroike mban datën 30 shtator 2015. Më 7 korrik 2017, Papa Françesku miratoi dekretin  mbi mrekullinë, atribuar ndërmjetësimit të Hannës, duke autorizuar edhe lumnimin. Është shërimi i koleges së saj, Zofia Szlendak-Cholewinska nga aneurizma. 








All the contents on this site are copyrighted ©.