2018-04-29 18:23:00

Kardinali Schönborn: "Interesi për njerëzit parakusht për një politikë të mirë"


Kryeipeshkvi i Vjenës dhe Presidenti i Republikës së Austrisë morën pjesë në tryezën e rrumbullakët mbajtur në fakultetin teologjik të Universitetit duke ofruar elemente të rëndësishme reflektimi.

"Pikënisja e baza për njё veprim të mirë politik është interesi i sinqertë për jetën e njerëzve. Nëse nuk jeni të interesuar për atë çka njerëzit bëjnë apo pёr atё çka mendojnë, është më mirë t’i shmangeni e tё mos merreni me politikё aktive". Ky këshilli i kardinalit austriak Christoph Schönborn drejtuar pjesëmarrësve në tryezën e rrumbullakët organizuar nga nisma "Politisch.Neu.Denken" ( Tё mendojmë tё renё nё politikё), e cila u mbajt të premten në ambientet e Fakultetit të Teologjisë Katolike të Universitetit të Vjenës, me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës Austriake, Alexander van der Bellen.

Për militantët e rinj apo simpatizantët e partive politike, të angazhuar në kurse të formimit e tё trajnimit politik apo të atyre qё thjesht janё tё interesuar për çështjet sociale në përgjithësi, kryeipeshkvi i kryeqytetit austriak Schönborn rrёfeu se ai nuk pret që ndërtimi i Mbretërisë së Zotit në tokë mund të kalojë ekskluzivisht nga politika, por megjithatë, është e nevojshme të shikojmë me një qëndrim pozitiv ndaj asaj që ёshtё e mundur të realizohet në nivelin politik për ndërtimin e një bashkëjetese paqësore sociale. «Në përgjithësi – nёnvizoi me kënaqësi - jam i bindur se në Austri ekziston një konsensus bazё, me themele tё forta qё mbështetet mbi disa parime të domosdoshme, nga tё cilat nuk mund tё hiqet dorё».

Lidhur me debatin politik, kardinali Schönborn tha se ёshtё i domosdoshёm një dialog qё bazohet e karakterizohet gjithmonë nga fjalori e nga sjellja qё respektojnë njerëzit e qё tregojnё interes e respekt të vërtetë për pikëpamjen e tjerëve. «Pavarësisht ndryshimeve, çdo diskutim është gjithmonë një takim i njerëzve konkretë: flasim me njerëz, jo me ideologji abstrakte».

Nëse nisemi nga kjo bazë, do të jetë "më e lehtë të pranojmë një opinion të ndryshëm për çështje të  shtruara nё tryezë e t’i tolerojmë edhe dallimet e mëdha". Përveç interesit të sinqertë për jetën e njerëzve, sipas kryeipeshkёvit, parakushtet e politikës së mirë janë gjithashtu objektiviteti dhe vëmendja në përdorimin e fjalorit.

I tё njëjtit mendim edhe Presidenti i Republikës, i cili shtoi se pёr një politikё tё mirëfilltë duhet edhe një kapacitet vështrimi e dialogu qё shkon përtej horizonteve të partisë personale. "Nuk ka asgjë më të mërzitshme se të diskutosh gjithmonë brenda flluskës tënde", tha van der Bellen, duke nënvizuar se si është reduktuese t'i gjykosh njerëzit në bazë të përkatësisë së tyre politike, ndërkohë që është jashtëzakonisht e nevojshme të jesh i gatshëm të flasësh me këdo, me kusht që dialogu të drejtohet në mënyrë efikase e pa paragjykime. Duhet tё kemi parasysh se "personi është gjithmonë më i rëndësishëm se çdo përkatësi".








All the contents on this site are copyrighted ©.