2018-04-29 16:27:00

Françesku: Rruzare për paqen në botë, në shenjtëroren e Zojës së Dashurisë Hyjnore


Françesku i fton besimtarët ta thonë me të Rruzaren për paqe në Siri e në mbarë botën, më 1 maj. E të vijojnë ta thonë gjatë gjithë majit, muaj kushtuar Virgjërës Mari.

Të martën e ardhshme, data 1 maj e fillim i muajit marian, Papa Françesku do të shkojë në shtegtim në Shenjtëroren romake të Zojës së Dashurisë Hyjnore. E kujtoi sot paradite vetë Papa, në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore.

Të lutemi së bashku për paqen

“Ta themi Rruzaren, duke u lutur posaçërisht për paqen në Siri e në botën mbarë” - tha Papa - duke i ftuar të gjithë besimtarët të bashkohen shpirtërisht me të e ta vijojnë gjatë gjithë muajit maj, çdo ditë, Rruzaren për paqen”.

Rruzarja, lutja e zemrës sime

Françesku, që i porosit shpesh besimtarët ta thonë Rruzaren, ka pohuar disa herë: “Rruzarja është lutja, që e shoqëron gjithnjë jetën time; lutja e të thjeshtëve, lutja e shenjtorëve… e edhe lutja e zemrës sime!”. Më tej Ati i Shenjtë shpjegoi se është edhe sintezë e Mëshirës hyjnore: “Në misteret e Rruzares, me Marinë, kundrojmë  jetën e Jezusit, që rrezaton mëshirën e vetë Atit. Të gëzohemi me dashurinë dhe faljen e Tij, ta mikpresim në të huajtë e nevojtarët, të jetojmë çdo ditë me Ungjillin e Krishtit”.

Maria, gjithnjë pranë bijve të saj

Papa Françesku u dhuron të gjithë njerëzve, që takon, nga një rruzare. Zoja e Bekuar - pohoi një herë - është gjithnjë pranë bijve të saj, gati për të na ardhur menjëherë në ndihmë, kur i drejtojmë lutjen, kur i kërkojmë të na nxjerrë hir… të na mbrojë… Të mos e harrojmë kurrë se Ajo nuk na lë të presim; është Zoja e gatishmërisë, niset menjëherë të shërbejë”.

Sipas traditës, kjo lutje e  thjeshtë dhe e thellë, lindi në shekullin XIII, në mjediset domenikane e, më pas, u përkrah gjithnjë nga Papët.








All the contents on this site are copyrighted ©.