2018-04-27 12:26:00

Papa në Meshën e mëngjesit: në Qiell Jezusi punon e lutet për ne


Qielli nuk është vend aspak i mërzitshëm, si mendojnë disa. Është takim me Jezusin. E pohoi Papa Françesku në Shtëpinë e Shën Martës, duke folur për premtimin e lumturisë së amshuar, që na e bëri Zoti. Ne ecim nëpër jetë të sigurt, duke i besuar plotësisht këtij premtimi.

Sot paradite, në Meshën e kremtuar pranë Shtëpisë së Shën Martës, Papa ia kushtoi reflektimin kryesisht Leximit I, një fragment i shkëputur nga Veprat e Apostujve, ku rilexojmë fjalimin e Palit në sinagogën e Antiokisë.

Banorët e Jeruzalemit dhe krerët e tyre - thotë Apostulli - nuk e pranuan Jezusin dhe e dënuan, por Ai, pasi vdiq, edhe u ringjall. E ne - përfundon - ju kumtojmë  se premtimi i bërë etërve, u realizua, sepse Zoti e përmbushi për ne, bijtë e tyre, duke e ngjallur Jezusin.

Të ecim me premtimin e Zotit në zemër

Duke e pasur në zemër këtë premtim të Zotit - vijoi Papa - populli u vu për udhë me sigurinë, që buronte nga premtimi, ngaqë e dinte se Zoti është besnik. Prandaj ecte përpara, duke besuar plotësisht në besnikërinë e Zotit.

Edhe ne jemi për udhë! Jemi për udhë. Jemi për udhë… e ndokush bën pyetjen: “Po, për udhë: po për ku kështu? - “Për qiell!”. - “E ç’do të thotë qiell?”. E këtu nisin përgjigje nga më të ndryshmet. Shumëkush nuk e di mirë si t’i përgjigjet pyetjes “Çfarë është qielli”. Kështu, shpesh, mendojmë për një qiell abstrakt, të largët, qiell e aq… po, po, ndjehesh mirë atje lart… Disa mendojnë: “Po ndoshta- ndoshta mund të jetë edhe pakëz e mërzitshme të rrish atje, gjithnjë në të njëjtin vend, për amshim”. Duhet kujtuar, prandaj, se ne ecim kah një takim: takimi përfundimtar me Jezusin. Qielli është takim me Jezusin.

Jezusi punon për ne, lutet për ne

Papa na kujton se duhet të kthehemi tek ky mendim: “Unë ec nëpër jetë për të takuar Jezusin”. Një takim, që do të na bëjë të kënaqemi përgjithmonë - pohoi Françesku. - Por, më pas, vjen përsëri një pyetje: “ E çka bën ndërkaq, Jezusi?”. E përgjigjja është: “Nuk rri ulur, duke më pritur, por, siç thotë Ungjilli, punon për ne”. Ai vetë ka thënë: “Kini besim në mua” e “Po shkoj t’ju përgatis një vend”. “Po ç’punë bën Jezusi?”. Ndërmjetëson! Thotë lutjen e ndërmjetësimit. Në këtë çast.

Ai është besnik e na përgatit një vend

Françesku kujtoi fjalët e Jezusit në Darkën e Mbrame, kur i premton Pjetrit: “Do të lutem për ty”. E këtë, që ia tha Pjetrit, na e thotë edhe ne të gjithëve: “Unë lutem për ty”.

E secili prej nesh duhet të thotë: “Jezusi po lutet për mua”. Po punon, po më përgatit vendin. E Ai është besnik: e bën këtë, sepse e premtoi. Qielli do të jetë ky takim, takim me Zotin, që shkoi atje për të na përgatitur një vend, vendtakimin e secilit nesh me Të.  E kjo na e rrit besimin, na e forcon besimin.

Ndërmjetësimi i Jezusit

Jezusi është meshtar ndërmjetësues, deri në fund të fundit të botës. “Zoti na e dhashtë këtë vetëdije të jemi për udhë drejt këtij premtimi” - përfundoi Papa. Na e dhashtë këtë hir: të shikojmë lart e të mendojmë: “Zoti po lutet për mua!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.