2018-04-27 14:19:00

Papa, Vëllezërve të Shën Gabrielit: vetëm qytetërimi i dashurisë mund t’i japë shpirt botës


Të kthehen në themelet e shën Luigjit Maria Grinjon de Monfort. Kjo, këshilla e Papës Françesku për pjesëmarrësit e Kapitullit të 32-të të përgjithshëm të Vëllezërve të Shën Gabrielit. Një nga këto themele, vuri në dukje Ati i Shenjtë, është “Fjala e Zotit për t’u medituar vazhdimisht”; tjetri është Dija, që kërkon të dëgjohet “Zoti me përvujtëri”, duke i qëndruar besnik në të gjitha punët.

Jeta vëllazërore

         Në një botë, karakterizuar nga individualizmi dhe globalizimi, nga konsumizmi, nga rendja drejt efikasitetit dhe dukjes, jeta në vëllazëri është shpëtim, theksoi Papa në fjalën e tij drejtuar monfortanëve, siç njihen anëtarët e Urdhërit, themeluar nga Shën Luigji Maria Grinjon de Monfort e përtërirë nga atë Gabriel Deshaje.

         “Kalimi nga jeta e përbashkët në jetën vëllazërore – u tha Papa Françesku – mund ta bëjë udhën e përditshme më të lehtë e më të gëzueshme. Kujdesi për vëllain, që kam pranë, si edhe dialogu, favorizojnë bashkimin në larmi. Në krizën aktuale shpirtërore, që shkakton ankth e trishtim për humbjen e kuptimit të jetës, ju ftoj të formoni bashkësi mikpritëse, ku është bukur të jetohet, duke u shfaqur, sidomos të rinjve, gëzimin se po ndiqni Krishtin dhe po i përgjigjeni thirrjes së Tij”.

Qytetërimi i dashurisë

         “Duajini të tjerët me zemër e me duar”, u kërkoi Papa Françesku monfortanëve, sepse “vetëm qytetërimi i dashurisë” mund t’i japë shpirt botës së globalizuar, pre e ndryshimeve të vazhdueshme. E është edhe boshti, rreth të cilit rregulltarët impenjohen në edukimin e të rinjve, pjesë e karizmës së tyre.

         “Të mësojmë nga Jezusi, Dija e mishëruar, si ta presim tjetrin e si t’i endim lidhjet me të, sidomos kur është i ndryshëm, nga një kulturë tjetër, nga një brez tjetër, - theksoi Ati i Shenjtë - …duke e shprehur dashurinë me gjeste konkrete dhembshurie e pjesëmarrjeje, edhe kur e vëmë veten në rrezik”. Së fundi, Papa Françesku u kërkoi monfortanëve të kujdesen, si gjithnjë, për të varfërit e për të mënjanuarit.

Vëllezërit e Shën Gabrielit

         Vëllezërit e Shën Gabrielit bëjnë pjesë në familjen monfortane, së bashku me Etërit Monfortanë dhe me Bijat e Dijes, që ndjekin misionin e Shën Luigji Maria Grinjon de Monfort. Impenjimi i tyre në mësimdhënie ka të bëjë sidomos me të verbërit, me njerëzit që nuk dëgjojnë, me jetimët, fëmijët e rrugës e me ata, që nuk kanë asgjë mbas shpirtit. Kapitulli i 32-të i përgjithshëm i tyre ka për temë “Jeta vëllazërore dhe përmasa komunitare e misionit monfortan”.








All the contents on this site are copyrighted ©.