2018-04-27 07:30:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të të kohës së Pashkëve “B”


Ja përsëri në takim tonë javor me Fjalën e Zotit të së Dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 5-të të kohës së Pashkëve, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na thërret të qëndrojmë të bashkuar në Krishtin, hardhinë e vërtetë. Ungjilli i kësaj së diele, duke na folur për hardhinë dhe shermendet, na kujton se kush beson në Krishtin, ka të ardhme. Shëmbëlltyra e ungjillit të kësaj së diele flet për hardhinë dhe shermendet, për të nënvizuar lidhjen e ngushtë të Zotit me popullin e vet, që vijon në rrjedhë të historisë. Në shëmbëlltyrë theksohet se shermendet nuk lulëzojnë vetvetiu. Varen plotësisht nga hardhia, nga e cila thithin jetë. Kështu edhe ne të krishterët, të shartuar me Pagëzimin në Krishtin, morëm nga ai falas, dhuratën e jetës së re e mund të rrijmë në bashkim jetik me Zotin. Nga ky bashkim, buron risia e krishterë, që mund të ndikojë mbi çdo marrëdhënie personale, mbi çdo mjedis shoqëror. Nëse njeriu bashkohet thellësisht me Jezusin, gëzon dhuratat e Shpirtit Shenjt që, siç na e kujton Shën Pali, janë  ‘dashuria, paqja, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, zotërimi i vetvetes’.

Në shëmbëlltyrën ungjillore të hardhisë, Jezusi nuk thotë: “Ju jeni hardhia”, por: “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet” (Gjn 15,5. Kjo do të thotë se ashtu si shermendet janë të lidhur për hardhi, kështu ju jeni të lidhur për mua, jeni të mitë. E duke më përkitur mua, i përkisni njëri tjetrit. E kjo përkatësi njëri tjetrit dhe Atij nuk është çfarëdo marrëdhënie tjetër ideale, e imagjinuar, simbolike, por – do të thosha gati gati – një përkatësi Jezusit në kuptimin biologjik, plotë gjallëri. Kisha është kjo bashkësi jete me Të e njëri për tjetrin, që bazohet në Pagëzim e thellohet e përforcohet çdo herë më shumë në Eukaristi. “Unë jam hardhia e vërtetë”; ky pohim i Jezusit, në realitet do të thotë; Unë jam ju e ju jeni unë – një identifikim i padëgjuar ndonjëherë i Zotit me ne, që jemi Kisha e tij.

Jezusi vazhdon: “Unë jam hardhia e vërtetë, e Ati im është bujkut” (Gj 15,1), ai i pret shermendet e thata e i punon ato që sjellin fryte në mënyrë që të sjellin më shumë fryte. Zoti do të heq nga kraharori ynë zemrën e vdekur, prej guri, për të na dhënë një zemër të gjallë, prej mishi (krh Ez 36,26). Ai do të na dhurojë një jetë të re e plotë fuqi.

Pra, Krishti ka ardhur për ti thirrur mëkatarët. Janë ata që kanë nevojë për mjek, jo të shëndoshët (krh Lk 5,31). E kështu, siç thotë Koncili II i Vatikanit, Kisha është “sakrament i shpëtimit” (Lumen Gentium, 48) që ekziston për mëkatarët, për ta hapur jetën e tyre ndaj kthimit tek Zotit, ndaj shërimit dhe jetës. Ungjilli i kësaj së diele të pestë të Pashkëve na kujton se Zoti vazhdon të na thotë: ”Rrini në mua e unë në ju. Porsi shermendet që nuk mund të sjellin fryte prej vetvetes nëse nuk janë të lidhura me hardhinë, kështu as ju nëse nuk qëndroni në mua,…sepse pa mua – e mund ta përkthejmë këtë pohim edhe kështu: jashtë meje – nuk mund të bëni asgjë” (Gjn 15,4). Çdonjëri prej nesh gjendet para një vendimi të tillë.

                                                  Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Vap 9, 26-31

Thirrja apostolike e Palit nuk varet as nga dymbëdhjetë apostujt, as nga bashkësia e Jeruzalemit, por rrjedh plotësisht nga Hyji.  Në Kishë duhet të mbizotërojë gjithmonë bashkimi në misionin e saj.  Përderisa bashkimi nuk është kurrë një formë vetëm e jashtme, por një sjellje thellësisht shpirtërore, Ungjilli nuk mund të përhapet nëse shpallësit e tij nuk janë thellësisht të bashkuar mes tyre në Kishë, e cila ka për detyrë të rinjohë veprimet e Shpirtit në secilin prej anëtarëve të saj.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, kur Pali erdhi në Jerusalem, përpiqej të bashkohej me nxënës, porse të gjithë ia kishin drojën sepse nuk mund e besonin se me të vërtetë ishte bërë nxënës. Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi te apostujt dhe u tregoi se Sauli e kishte parë Zotërinë gjatë një udhëtimi, sesi Jezusi foli me të dhe sesi Sauli ka predikuar me plot guxim në Damask në Emër të Jezusit. Që atëherë shkonte e vinte bashkë me ta nëpër Jerusalem dhe predikonte me vendosmëri në Emër të Zotërisë. U drejtohej edhe hebrenjve që flisnin greqisht dhe diskutonte me ta, por edhe ata synonin ta vritnin. Kur e morën vesh këtë gjë vëllezërit, e përcollën deri në Cezare e së andejmi e nisën për Tars. Kisha, pra, ishte në paqe në mbarë Judenë, Galilenë e Samarinë; ndërtohej dhe përparonte në frikën e Zotërisë dhe rritej në saje të hirit të Shpirtit Shenjt. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Psalmi 22

Ty të lavdëroj, o Zot, në bashkësinë

e vëllezërve

Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë,

mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!

Ndër sy të besimtarëve të tu do t’i kryej

kushtet.

Do të hanë skamnorët e do të ngihen, do ta lavdërojnë Zotin ata që e kërkoj-në: ‘Rroftë zemra e tyre për amshim!’

Do të kujtohen e do të kthehen te Zoti mbarë skajet e tokës, do të adhurojnë para tij mbarë familjet e kombeve. Sepse Zoti është mbret! Ai sundon kombet!

Atë, vetëm atë do ta adhurojnë

të gjithë ata që pushojnë nën dhe,

para tij do të përmbysen të gjithë ata

që kthehen në pluhur.

Kurse shpirti im për të do të jetojë,

në shërbim të tij do të jetë fara ime,

breznisë së ardhshme do t’i tregohet për Zotin, për drejtësinë e tij do t’i tregohet popullit që vjen: “Kështu bëri Zoti!”

 

Leximi dytë 1 Gjn 3, 18-24

“Zemra”, për shën Gjonin është ndërgjegjja jonë, roja që kontrollon veprimet tona.  Por, edhe pse ndërgjegjja na akuzon duhet gjithmonë të besojmë në dashurinë e mëshirshme të Hyjit që është mbi çdo ligj.  Norma e vërtetë e veprimeve tona nuk është bindja ndaj ligjit, por aftësia jonë për të dashur, për të qenë të hapur ndaj nevojave të vërteta të të tjerëve. 

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull

Fëmijëzit e mi, mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë! Me këtë gjë e dimë a jemi prej së vërtetës. Dhe do ta qetësojmë zemrën tonë para Tij në qoftë se ajo na qorton për ndonjë send. Sepse Hyji është më i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka. Fort të dashur! Nëse zemra nuk na padit, mund të shkojmë me guxim te Hyji dhe çkado që kërkojmë, prej Tij e marrim, sepse i mbajmë urdhërimet e Tija dhe bëjmë çka Atij i pëlqen. Ky është urdhri i Tij: që të besojmë në Emrin e Birit të Tij – në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri-tjetrin, si Ai na urdhëroi. Kush i mban urdhërimet e Tija, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të. Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na e ka dhënë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Aleluja! Aleluja!

Banoni në mua sikurse edhe unë në ju, thotë Zoti: kush mbetet në mua jep shumë fryt.

 Aleluja! Aleluja!

 

Ungjilli   Gjn 15, 1-8

Vreshti është populli i Hyjit.  Nga Pashkët e Jezusit do të lindë një vresht i ri, që do tu japë forcë dhe gëzim të gjithë njerëzve.  Për të sjellë fryte të mira, ne që jemi degët e vreshtit të Zotit, duhet të qëndrojmë thellësisht të lidhur me të, që është trungu nëpërmjet të cilit arrin në ne lëngu.  Nëse nuk ekziston një lidhje jete, veprimet tona janë të thata dhe pa dashuri, dhe ne jemi të paaftë për tu dhuruar verën e Ungjillit njerëzve të etur.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Unë jam hardhia e vërtetë, e im Atë është vreshtari. Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, Ai e pret, kurse secilin që jep fryt, Ai e pastron, që të japë më shumë fryt. Tashmë ju jeni të pastruar me anën e fjalës që ju thashë. Banoni në mua sikurse edhe unë në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt prej vetvetes, i shkëputur prej hardhisë, po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë. Nëse ndokush nuk mbetet në mua, hidhet jashtë porsi shermendi i prerë e thahet. Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen. Nëse mbeteni në mua, dhe, nëse fjalët e mia qëndrojnë në ju, lypni gjithçka të doni dhe do t’ju jepet. Më këtë gjë lavdërohet im Atë: nëse jepni shumë fryt e dëftoheni nxënës të mi.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!








All the contents on this site are copyrighted ©.