2018-04-27 17:04:00

Kisha ia beson paqen martirëve koreanë


Ndërsa liderët e Koresë së Veriut dhe të Seulit bisedonin, në takimin e sotëm të rangut të lartë ndërkorean, katolikët e Koresë së Jugut, në dioqezat e ndryshme, u bashkuan në uratë, duke iu lutur Zotit ta bekojë këtë takim. Imzot Lazër You  thekson: “Ia besojmë paqen martirëve koreanë”.

“U preka në shpirt, duke i parë në Tv dy liderët, që takoheshin. E u luta. Falënderova Zotin e u dhashë bekimin tim. Jam me të vërtetë i lum, sepse hapet një epokë e re; mund të themi se Zoti kryen vepra të mrekullueshme e krejt të papritura”: - me këto Fjalë imzot Lazër You Heung-sik, ipeshkëv i Daejeon e kryetar i Komisionit ipeshkvnor për shoqërinë, e komenton, në agjencinë Fides, takimin historik të liderit verikorean Kim Jong-un dhe Presidentit jugkorean, Moon Jae-in. “Iu luta për  ndërmjetësim edhe Virgjërës Mari e martirëve koreanë: atyre ua besojmë ardhmërinë e udhës drejt paqes e pajtimit, për të mirën e popullit korean dhe të mbarë njerëzimit” - shton ipeshkvi.

“Ishte tepër prekëse. Sot, në Kore - vëren imzot Lazri në vijim -  edhe ajri që thithëm ishte plot me optimizëm e shpresë. Sa e pamundur dukej kjo vetëm pak muaj më parë, kur flitej veç për luftë. E sot, u realizua! Sot i themi Zotit: përkryeje veprën tënde! “Jemi vëllezër! Si koreanë, jemi një popull i vetëm”. Një meritë e madhe - për këtë ditë të madhe - shton - i takon Presidentit Moon, katolik, që besoi shumë e punoi me të gjitha forcat për këtë rezultat.

“Tashti shpresojmë se do të kemi mundësi ta ndihmojmë popullin verikorean, që vuan nga varfëria e nga uria. Dy objektivat: çarmatimi bërthamor dhe nënshkrimi i traktatit të vërtetë të paqes tani nuk janë vetëm të mundshme, por vërtet të nevojshme: udhë e drejtë e fryt konkret pas këtij takimi - vijon - duke kujtuar se paqja në zonë kërkon edhe vullnetin e mirë politik të aktorëve si Kina e SHBA-të”. Katolikët në Kore - përfundon ipeshkvi - e jetuan këtë ngjarje të madhe me lutje e do të vijojnë ta shoqërojnë me lutje edhe udhën e dialogut e të paqes. “Duke promovuar nisma shkëmbimi e bashkëpunimi me veriun, për të kontribuar e për të krijuar pajtim e vëllazërim të vërtetë”.

Lutja e të krishterëve të Azisë

Edhe në vende të ndryshme aziatike vijoi gjatë lutja për paqen! Në Chiang Mai të Tailandës, Konferenca e krishterë e Azisë (Cca), organ ekumenik me pjesëmarrjen e konfesioneve të ndryshme të krishtera, kremtoi dje një lutje të veçantë, duke i uruar arritje pozitive takimit të rangut të lartë. “Me lutjen tonë shpresojmë dhe i kërkojmë Zotit që liderët e Koresë së Veriut e asaj të Jugut, të gjejnë rrugëdalje e shtigje të reja për të kultivuar paqen e pajtimin, mbi themelet e barazisë, respektit reciprok e bashkëjetesës paqësore” - shkruan, në një notë, botuar nga Agjencia Fides - Mathews George Chunakara, sekretar i përgjithshëm i Cca.

Shpresa për takimin Kim Jong Un - Trump

“Shpresojmë sinqerisht që ky takim ndërkorean, të sheshojë rrugën për takimin tepër të pritur të liderit verikorean Kim Jong un me presidentin e SHBA-ve, Trump” - pohon Chunakara. “Të gjitha bashkësitë e krishtera - nënvizon - luten dhe e mbështesin me forcë kërkesën, shprehur edhe nga Këshilli kombëtar i Kishave në Kore, për të nënshkruar një marrëveshje të vërtetë paqeje, që të zëvendësojë marrëveshjen e armëpushimit të vitit 1953”.

Kisha e besimtarë ia besojnë paqen martirëve koreanë. “Atyre që derdhën gjak për këtë ditë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.