2018-04-25 14:26:00

Nigeria: sulm kundër një kishe, vriten dy meshtarë e 16 besimtarë


Në Nigeri, gjatë sulmit kundër një kishe, vriten dy meshtarë e 16 besimtarë. Sulmi i armatosur u krye në Mbalom, në Shtetin e Benue, menjëherë pas kremtimit të Meshës Në zonë vijojnë prej kohe ndeshje ndërmjet barinjve endacakë dhe bujqërve të ngulur në vend. “Eshtë masakër, për të cilën nuk shqetësohet askush. Bota hesht para shëmtimeve të tilla, që duhet të marrin fund”- denoncon një meshtar nigerian.

Dhunë e re, kjo, në Nigerinë qëndrore! Dy meshtarë katolikë, atë Joseph Gor e atë Felix Tyolaha dhe së paku 16 besimtarë, u vranë dje paradite, gjatë një sulmi të armatosur kundër kishës së fshatit Mbalom, në Shtetin Benue. Një grup kriminelësh nisi të shtjerë menjëherë pas përfundimit të Meshës në famullinë e Shën Injacit, që i përket dioqezës së Makurdit.  Më pas - sipas burimeve vendase- banditët u vunë zjarrin disa banesave.

Dënimi i presidentit dhe i dioqezës

Presidenti nigerian, Muhammadu Buhari, i dënoi ashpërsisht këto krime të urryra. Ndërsa dioqeza e Makurdit u shprehu ngushëllimet e veta familjeve të të vrarëve, duke e ngritur fort zërin për të kërkuar sigurimin e jetës së popullsisë. E kjo, sepse në këtë zonë dhuna është bërë fakt i përditshëm; vijojnë ndeshjet për kontrollin e ujit e të tokave bujqësore. Banda barinjsh endacakë të etnisë fulani sulmojnë gjithnjë më shpesh njerëz e prona, duke u ndeshur me bujqit e vendosur në këto zona. Sipas organizatës humanitare Human Rights Watch, duke u nisur nga viti 2010, dhuna ka shkaktuar vdekjen e më se 3 milion vetëve.

Dëshmia

Popullsia është e frikësuar deri në palcë - denoncon, nga Nigeria, don Patrick Alumuku, drejtor i komunikimit për dioqezën e Abuja-s. - “Pashë faqen facebook të njërit nga meshtarët e vrarë. Ndonjë muaj më parë - tregon - pati shkruar: “Kam shumë frikë, po jetoj në frikë. Fulanët janë rreth nesh, kullosin bagëtitë rreth trojeve të kishës sime e unë nuk e di ç’duhet të bëj”. E në pritje për të bërë diçka, e vranë. Meshtari i dytë ishte më parë në një famulli tjetër, e cila më pas u mbyll fare për shkak të situatës së rëndë. Sapo nisi shërbimin në një famulli tjetër, e vranë edhe atë.

Sulmet e fulanëve

“Dy-tre vjetët e fundit, zona Benue, ku të krishterët janë 95% e popullsisë, u sulmua, në veri, nga një grup terroristësh myslimanë. Ideja, sistemi, metoda  e tyre është e njëjtë me atë të Boko Haramit - shpjegon meshtari, duke kujtuar grupin ekstremist i cili, që nga viti 2009, ka shkatuar vdekjen e më se 20 mijë vetëve. - “Janë barinj, që vijnë të pushtojnë toka, sepse tepër pjellore. Po sulmojnë fshat pas fshati, duke vrarë kudo një mori njerëzish”. Kjo - shpjegon don Alumuku - është masakër, për të cilën, në nivel ndërkomëtar, nuk flet askush. Në një kohë kur mund të thuash se bandat e barinjve të etnisë fulani po shndërrohen në një grup të mirëfilltë terrorist; “është pikërisht kështu, fulan-ët besojnë se misioni i tyre është ta përhapin islamin deri  në brigjet e oqeanit”.

Armët hyjnë nga jashtë

“Është  një grup, i cili quhet ‘Myetti Allah’, që do të thotë ‘Lajmëtarët e Zotit’, i cili nuk e fsheh fare qëllimin: pushtimin e kësaj pjese të vendit”. Pas vrasjes së djeshme të meshtarëve dhe të grupit të besimtarëve, mbrëmë, njerëz të armatosur,  vranë edhe tridhjetë vetë të tjerë, në një fshat të Shtetit të Benue. Presidenti Buhari, që këto ditë ndodhet në Britaninë e Madhe për Konferencën e Commonwealth-it, në një intervistë, dhënë pas ngjarjes, akuzoi luftëtarët e ardhur nga Libia, pas shpërbërjes së vendit, për të sjellë armë në Nigeri. Por pyetja, që duhet bërë, është: “Nëse njerëzit e armatosur vijnë nga jashtë e vijojnë të vrasin ditë për ditë, pse nuk dërgohen ushtarët vendas për t’i arrestuar e për ta vënë nën kontroll situatën?” - përfundon meshtari - pa mundur t’i japë përgjigje pyetjes së vet. Sepse përgjigjja i takon qeverisë, që e njeh mirë situatën.








All the contents on this site are copyrighted ©.