2018-04-24 10:30:00

Irak: në Ninive të krishterët po kthehen në shtëpitë e tyre


Pas vitesh dramatike dhe fshatrave të tëra të shkatërruara nga furia e Isisit, rezultatet e rindërtimit në Irak fillojnë të jenë inkurajuese e të japin shpresa. Kështu thuhet në komunikatën e Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, që para një viti pati filluar “Planin Marshall” për të mbështetur të krishterët irakianë, në veçanti, duke hapur kantieret e para në fshatrat e Bartella-s, të Karamless-it dhe të Qaraqosh-it, pak larg Mosulit.

Popullsia kthehet sërish në shtëpi

Sipas Fondacionit, deri më 25 marsin e këtij viti, më se 8 mijë familje janë kthyer në Pllajën e Ninives, pra, 42% e të ikurve të gushtit 2014. 13 mijë ishin banesat e shkatërruara nga xhihadistët në më pak se dy vjet e deri tani, prej tyre, janë riparuar 3.249. Punimet po kryhen nga Komiteti për rindërtimin e Ninives, themeluar më 27 mars 2017 nga Kishat e Irakut (kaldease, siro-katolike dhe siro-ortodokse) me ndihmën e Fondacionit. Kisha lokale po bën ç’është e mundur për t’i inkurajuar të krishterët të kthehen, siç nënvizon, në mikrofonin tonë, Patriarku i Babilonisë së Kaldeasve në Irak, imzot Louis Raphael Sako. “Është themelore – shpjegon ai – që njerëzit të kthehen në banesat e tyre, sepse ka rrezik që ndokush t’i zërë dhe të sillet si zot shtëpie”.

Vështirësitë vijojnë

Megjithë kthimet, gjendja në zonë mbetet shumë e vështirë. Tensionet politiko-shoqërore janë akoma shumë të larta, sidomos për shkak të problemeve ndërmjet qeverisë së Bagdadit dhe atij të Kurdistanit. Gjithashtu, rruga, që çon nga Mosuli në Pllajën e Ninives është akoma e mbyllur dhe të krishterët nuk mund të arrijnë në qytet për të kërkuar punë. Nuk dihet edhe si do të shkojnë zgjedhjet parlamentare të 12 majit e “njerëzit – shpjegon imzot Sako – presin të shohin nëse qeveria e re do të merret seriozisht me çështjen e sigurisë”.

Punët, që mbeten për të bërë

Që nga fillimi i të ashtuquajturit Shtet Islamik, në qershor 2014, “Ndihmë për Kishën që vuan” ka mbështetur projekte emergjence e humanitare në Irak për më se 37 milion euro. Përkrahje ekonomike themelore, e quan imzot Sako, për një popull, që, gjithsesi, “nuk ka nevojë vetëm për para, por edhe për shpresë e për mbështetje humane e shpirtërore”. Popullsia irakiane, në fakt, “ka vuajtur për më se tre vjet e gjysëm, pra, është themelore të qëndrojmë pranë këtyre njerëzve për t’u dhënë mundësi të kenë guximin të kthehen në tokat e tyre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.