2018-04-23 15:59:00

Imzot Martin: shtohen regjistrimet për takimin e familjeve në Dublin


“Katër muaj para takimit botëror të familjeve, gushtin e ardhshëm, duhet të  verifikojmë nëse do t’i kemi vendet e nevojshme për një numër kaq të madh regjistrimesh, edhe nga jashtë”. Ndjehet shumë kënaqësia, në fjalët  e imzot Diarmuid Martin, kryeipeshkëv i Dublinit, katër muaj para Takimit botëror të familjeve World meeting of families 2018, që do të mbahet nga 21 deri më 26 gusht 2018, në kryeqytetin irlandez.

Papa Françesku do të marrë pjesë në ngjarje më 25 e 26 gusht e do të kryesojë edhe Meshën përfundimtare.

Familja, pasuri për shoqërinë, Kishën e ungjillëzimin

“Çdo aspekt i vizitës së Papës në Irlandë, duhet parë në dritën e familjes”,   nënvizoi javët e kaluara imzot Martin, lidhur me takimin, kushtuar temës “Ungjilli i familjes: gëzim për botën”. “Dëshirojmë t’i trajtojmë të gjitha temat e prekura nga  Papa në “Amoris Laetitia” si dhe në dy Sinodet kushtuar familjes,  duke u përpjekur për të kuptuar si duhet shikuar familja, si “pasuri për shoqërinë, për Kishën e për ungjllëzimin”.

Familje me fëmijë 

“Një aspekt interesant - shton kryeipeshkvi - është se ndërmjet regjistrimeve, që janë bërë deri tani, figurojnë shumë fëmijë të një mori familjesh, që do t’i sjellin me vete edhe të vegjlit në këtë ngjarje të madhe. E kjo do t’i japë karakter të ri e të rëndësishëm takimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.