2018-04-22 17:07:00

Papa meshtarëve të rinj: mos u lodhni kurrë duke qenë të mëshirshëm


Mendoni për mëkatet tuaja e jini të mëshirshëm. Këtë theksoi Françesku, duke iu drejtuar 16 meshtarëve të rinj, të shuguruar sot, të cilët i porositi posaçërisht: “Shqetësohuni vetëm për t’i pëlqyer Zotit. Shikojeni gjithnjë Bariun e Mirë, ‘që nuk erdhi për t’u shëbyer, por për të shërbyer’”.

Gjashtëmbëdhjetë meshtarë të rinj, 11 nga të cilët, për dioqezën e Romës: Françesku i shuguroi sot paradite, gjatë Meshës, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit. E ndryshme, origjina e tyre: pesë janë nga Roma, tre nga India, një nga Kroacia e një nga Rumania; e pastaj nga Perù, Vietnami, Mianamari, Kolumbia, El Salvadori, Madagaskari.

Diakonët shqiptuan “po”-në e tyre në të Dielën IV të Pashkëve, e njohur si e Diela e Bariut të Mirë, në të cilën Kisha kremtoi edhe Ditën e 55-të botërore të lutjes për thirrjet.

Mesha me shgurimet, në Shën Pjetër

Një kremtim madhështor, ku mbizotëronte ngjyra e bardhë e veshjeve, i pasur me çaste prekëse, si ai kur meshtarët e rinj shprehën vullnetin  për t’i shërbyer Zotit dhe premtuan se do t’i binden Papës dhe eprorëve të tyre. E më pas, edhe çasti, kur Papa i vajosi një për një pëllëmbët e duarve të të shuguruarve, duke ua besuar, kështu, shugurimin e Bukës dhe të Verës mbi altar.

Meshtari vijon misionin e Jezusit

Për shugurimin e meshtarëve të rinj, Papa shqiptoi “homelinë rituale”, parashikuar nga Pontifikali Romak, me disa shtesa personale. Jezusi - kujtoi - është i vetmi Kryemeshtar i Besëlidhjes së Re e në Të, i gjithë populli i Zotit bëhet popull meshtarak. Por, megjithëkëtë, ndërmjet dishepujve të tij, Zoti Jezus dëshiron të zgjedhë veçanërisht disa, për të ushtruar publikisht në Kishë, në emër të Tij, detyrën  meshtarake në favor të të gjithë njerëzve, duke vijuar, kështu, misionin e  Tij personal,  si mësues, meshtar e bari.

Jetojeni atë, që mësoni

Jezusi, i dërguar nga Ati - vijoi Françesku - i nisi në botë apostujt e pastaj ipeshkvijtë, bashkëpunëtorë të të cilëve janë meshtarët, për t’i shërbyer popullit të Zotit me predikim, veprimtari kulti e, posaçërisht, me Eukaristinë. Papa u kujtoi kandidatëve se do të jenë pjesëmarrës në Misionin e Krishtit, i vetmi Mësues, dhe i porositi:

“Përhapeni ndërmjet të gjithëve Fjalën e Zotit, që ju vetë e morët me gëzim. Lexojeni e meditojeni vazhdimisht Fjalën e Zotit, për të besuar në atë, që lexuat; mësojeni, çka  morët në fe, jetojeni, çka mësuat!”.

Mendoni mëkatet tuaja, jini të mëshirshëm

“Fjalët e meshtarëve do të jenë ushqim për shpirtin e besimtarëve, gëzim e mbështetje për besnikët e Krishtit, parfum i jetës suaj”. Françesku i përshkroi, kështu, detyrat për të cilat u thirrën meshtarët e rinj e, në veçanti, nënvizoi: “Me sakramentin e Rrëfimit, do t’i zgjdhni mëkatet në emër të Krishtit e të Kishës”, duke shtuar, më pas lirisht, jashtë tekstit zyrtar:

“E këtu po ndalem e po ju kërkoj: ju lutem, mos u lodhni kurrë duke qenë të mëshirshëm. Mendoni mëkatet tuaja, mjerimet tuaja, që Jezusi i fal. Jini të mëshirshëm!”.

Pëlqejini Zotit, jo njerëzve

Françesku i ftoi, në përfundim, meshtarët e rinj, ta ushtrojnë meshtarinë e tyre  me gëzim e dashuri të  sinqertë:

“…me qëllim që t’i pëlqejnë vetëm Zotit e jo vetvetes ose njerëzve, për interesa të tjera. T’i shërbejnë vetëm Zotit, për të mirën e popullit të tij shenjt e besnik!”.

Si Bariu i Mirë, vihuni në shërbim

Një porosi e fundit! Ta keni gjithnjë parasysh shembullin e  Bariut të Mirë, që nuk erdhi për t’u shëbyer, por për të shërbyer e për të shpëtuar çka ishte e humbur!








All the contents on this site are copyrighted ©.