2018-04-22 08:00:00

Dita e 55-të e Lutjes për Thirrjet: “Më jep një zemër, që dëgjon!”.


Sot, e diela e Bariut të Mirë, në të gjitha bashkësitë e krishtera kremtohet  Dita e 55-të Botërore e Lutjes për Thirrjet. Fjala biblike, që frymëzon udhën e thirrjeve në Kishë, është “Më jep një zemër, që dëgjon!” (krh 1 Mbr 3,9). Fjalë, e cila përkon plotësisht me perspektivën e Sinodit të ipeshkvijve kushtuar të rinjve, me temë: “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes” e tingëllon si ftesë e dyfishtë për lutjen e sotme.

Kërkesa, që ia drejton Jahve Salomonit në ëndërr, është fjalë që mund ta ketë në buzë çdo i ri apo e re, në udhën e shqyrtimit të thirrjes së vet.

Rruga e jetës zgjidhet duke dëgjuar zërin e Zotit,

Zgjidhet duke ia vënë veshin zërit të zemrës!

Rruga e jetës hapet duke kërkuar realizimin e dëshirave më të vërteta e më të thella, që vetë Ati i gjithëpushetshëm i fsheh në ato thellësi. Ku ruhen e presin çastin e duhur për të shpërthyer!

Rruga e jetës realizohet duke rrëmuar në historinë njeriut, në të përditshmën e rëndomtë, që shpesh, krejt papritmas, bëhet hapësirë e vërtetë e takimit me Zotin.

Realizohet duke dëgjuar Fjalën, që na zbulon, hap pas hapi, identitetin tonë të vërtetë, vullnetin tonë, thirrjen tonë.

Realizohet përmes lutjes….

Por e njëjta lutje mund të dalë edhe nga zemra  e njeriut, që dëgjon. Që e shoqëron çdo shqyrtim të thirrjes. Njeriut, që e ndjek vëmendshëm  rrëfimin e  të riut a të së resë në kërkim  të  rrugës së dhurimit për gjithëjetë, është vesh i hapur, për t’i kapur të gjitha dridhjet e zemrës e për të kuptuar, prej tyre, veprimin e Shpirtit Shenjt në shpirtin e të riut a të së resë. Nësa flet, duke treguar të patregueshmen,  zgjedhjen e një rruge në të cilën, duke e mohuar vetveten për Zotin e për botën, e rigjen vetveten.  Sepse jetë e “humbur me Birin e Zotit, për jetën e botës!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.