2018-04-21 13:42:00

Videomesazh i Papës Françesku për të rinjtë e Kubës


Françesku u drejton të rinjve kubanë një videomesazh përshëndetjeje e inkurajimi, me rastin e takimit të drejtuesve të baritorisë rinore të Kubës, organizuar mbrëmë, në Havanë, në kuadrin e Ditëve të ardhshme të Rinisë: asaj të Panamasë dhe asaj të Kubës, në Santiago. Papa  i nxit djemtë e vajzat kubane ta duan tokën e tyre e Kishën e tyre dhe u kërkon të marrin guximin e të angazhohen me të gjitha forcat ditë për ditë.

Fjalët e Papës në videomesazh

Të dashur të rinj, ju inkurajoj të dashuroheni me Jezusin e të keni angazhim përherë e më konkret në shërbim të Kishës në Kubën konkrete të sotme, pa frikë  nga dëgjimi i thirrjes së Zotit në situatat e përditshme. Atdhetarë të mirë, duajeni tokën tuaj, duajeni Atdheun tuaj! Jini bujarë e hapjani zemrën Zotit!

Ndërtohet së bashku

Në videomesazh, Papa uron që Dita botërore e rinisë në Panama e ajo e Kubës, në Santjago, të mos jetë qëllimi i përpjekjes që po bëjnë, por të shkojnë shumë më përtej, të zbulojnë mundësinë për thellimin  e proceseve të fesë të secilit e të vijojnë ta ndërtojnë Kishën kubane të së sotmes e të së nesërmes, Atdheun kuban të së sotmes e të së nesërmes, të vetëdijshëm se nuk janë vetëm e se mund të ndërtohet vetëm duke u nisur nga bashkësia, së cilës i përkasim, konkrete, ku e shkrijmë jetën tonë dhe e ushqejmë thirrjen tonë.

Ju ftoj të ecni gjithnjë përpara - përfundon Papa - shikoni para, duajeni tokën tuaj, duajeni Jezusin  e Zoja e Bekuar ju ruajtë. Guxim!








All the contents on this site are copyrighted ©.