2018-04-21 17:20:00

Papa besimtarëve të Bolonjës dhe Çezenës: të jeni misionarë e shenjtorë!


Në një atomosferë prekëse feste u zhvillua, në Sheshin e Shën Pjetrit, audienca e Papës Françesku me dioqezën e Çezenës e të Bolonjës. Ndërmjet dëshmive, muzikës, valleve e zërit të këngëtarit të mirënjohur italian, Gianni Morandi, Papa u dorëzoi besimtarëve misionin: “Bëni që, në bashkësitë tuaja, të jehojë thirrja për shenjtëri!”.

Përfundoi kështu, një festë e madhe: shtegtimi dhe vizita pranë Varrit të Shën Pjetrit, e besimtarëve të dioqezës së Çezenës dhe Bolonjës, shoqëruar nga ipeshkvijtë e tyre, imzot Douglas Regattieri e imzot Matteo Zuppi. Papa i priti mijëra besimtarët me dashurinë e zakonshme e, pastaj, në fjalën e rastit, kujtoi 1 tetorin 2017, kur ishte për vizitë në dy qytetet e Emilia-Romanjës, duke e quajtur “dhuratë e Provanisë, për të përforcuar fenë dhe përkatësinë ndaj Kishës, që kërkon të shprehet, më pas, me gjeste bamirësie, posaçërisht ndaj njerëzve më të brishtë”.

Dhuratë, kjo, e cila u përsërit sot në shtëpinë e Françeskut, nën qiellin blu të një dite pranvere romake, për gëzimin e madh të atyre, që e pritën qysh nga orët e para të mëngjesit, duke kënduar për të, me Gianni Morandin e duke pohuar me zë të lartë dëshirën për të qenë dëshmitarë të vërtetë të fesë, por edhe të përgjegjësisë së angazhimit konkret, në jetën e përditshme.

Dëshmi me gjeste të vogla

Papa, pasi bëri sjelljen e zakonshme me papamobil rreth Sheshit të Shën Pjetrit, i nxiti besimtarët, nga tremja, të ecin në gjurmët e Piut VI e Piut VII, të dy ipeshkvij e çezenatas, e të angazhohen si ata, për ta kumtuar Ungjillin, duke e dëshmuar me vepra, të cilat nuk është e nevojshme të jenë gjithnjë të mëdha. Sepse të krishterët janë tharm dashurie, vëllazërie e shprese, edhe me gjeste fare të vogla e të përditshme.

Duaji gjestet e vogla! Janë të vogla, si tharmi, por bëjnë shumë mirë – porositi Papa.

Eukaristia bën Kishën

Françesku kujtoi përsëri përfundimin e Kongresit Eukaristik Dioqezan në Bolonjë, pikërisht me rastin e vizitës së tij, duke pohuar se ta kremtosh së bashku Eukaristinë, do të thotë të bëhesh vëlla me tjetrin, t’i shtosh radhët e bashkësive shenjte misionare.

E kjo, sepse është pikërisht Eukaristia ajo, që e bën Kishën, që i bashkon  të krishterët, duke i lidhur me hallkat e dashurisë e të shpresës. Zoti Jezus e themeloi, që të mbetemi në Të e të formojmë një korp të vetëm, të bëhemi vëllezër.

“Eukaristia - vijoi Papa - na pajton, na bashkon, sepse ushqen lidhjen e bashkësisë dhe inkurajon sjelljet bujare, faljen, besimin në të afërmin, mirënjohjen”.

Epërsia e dashurisë

Eukaristia - nënvizoi Françesku - na edukon ta vëmë dashurinë në krye të vendit e të praktikojmë drejtësinë në formën e saj më të lartë, atë të mëshirës. Na edukon të falënderojmë gjithnjë, edhe kur marrim çka na takon. Kulti eukaristik na mëson edhe shkallën e drejtë të vlerave: të mos i vëmë në plan të parë ato tokësore, por ato qiellore; të kemi uri jo vetëm për bukën materiale, por kryesisht për atë, që vlen për jetën e pasosur.

Misioni i të krishterit

Prej këndej Papa i nxiti besimtarët t’i përgjigjen edhe britmës së heshtur të burrave e grave, që kanë nevojë ta takojnë Jezu Krishtin, sepse, në fund të fundit, ky është misioni i çdo të krishteri. E të gjithë janë të thirrur për të ecur në udhën e dashurisë e të shenjtërisë!








All the contents on this site are copyrighted ©.